Një deklarate të përbashkët shefja e diplomacisë europiane Frederica Mogerini dhe Komisioneri për zgjerimin Johanes Han e cilësojnë lënien e mandateve nga ana e të zgjedhurve të opozitës si cenim të demokracisë. Sipas tyre anëtarët e parlamentit duhet të shërbejnë parlamentit ndërsa nga qeveria kërkojnë të angazhohet në dialog për të tejkaluar këtë situate të krijuar.
“Vendimi i opozitës për heqjen dorë nga mandatet është një pengesë serioze në funksionimin e demokracisë në Shqipëri. Parlamenti është vendi ku reformat dhe zhvillimet që lidhen me to duhet të diskutohen dhe të çohen përpara dhe jo të bojkotohen.
Këto vendime dhe veprime janë kundërproduktive dhe shkojnë përkundër zgjedhjes demokratike të qytetarëve shqiptarë dhe po ashtu minojnë progresin që vendi ka bërë në rrugën drejt Bashkimit Europian.
Po ashtu presim që qeveria dhe opozita të angazhohen në diskutime konstruktive për të kapërcyer situatën aktuale politike në të mirë të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj”.
Edhe raportuesi për Shqipërinë Knut Fleckenstein komenton lënien e mandateve nga opozita qe sipas tij është e pakuptueshme për Brukselin. Knut Fleckenstein flet dhe për informacionet që ka lidhur me bojkotimin e zgjedhjeve lokale nga ata e partive opozitave. Të gjitha këto zhvillime sipas tij mund të çojnë në një tjetër shtyrje të çeljes së negociatave të anëtarësimit.
“Për momentin, ajo që kam dëgjuar unë tingëllon shumë e rrezikshme. Më shqetëson më shumë bojkoti apo djegia e mandateve, nuk jam i sigurt që s’do të jetë shqetësuese nëse Shqipëria nuk ka një parlament funksional apo nëse opozita nuk do të kontribuojë, prandaj po mendoj se do të ndikojë dhe që kushdo ta kuptojë që s’duhet të habiten nëse shtyhen sërish negociatat. Kam dëgjuar që mund të ketë një bojkot të zgjedhjeve gjithashtu, por shpresoj që ky të jetë vetëm thashethem, sepse mendoj se zgjedhjet do të zhvillohen gjithsesi. Ju lutem mos hiqni dorë nga mandatet, ju lutem bëni punën tuaj”.
Ndërsa në një reagim të dytë për Deutsche Welle, Knut Fleckenstein tha ajo që opozita e quan qeveri të krimit është zgjedhur nga populli. Sipas tij se palët nuk mund t’i drejtohen Brukselit për çdo grindje.
Ka reaguar dhe Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Thorbjørn Jagland, i cili në një deklaratë mbajtur për zhvillimet në vendin tonë kërkon nga opozita që të mos e braktisë parlamentin, ku sipas tij është vendi që duhet të diskutohen të gjitha çështjet politike.
Tv Klan