Mesfushori Taulant Xhaka do të tërhiqet në fund të këtij sezoni. Pas një karriere të pasur, lojtari shqiptar ka vendosur ta mbyllë me futbollin e luajtur në moshën 34-vjeçare.

Kjo u bë e ditur nga klubi i Basel-it, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.

“Gjithmonë ka qenë e rëndësishme për mua që të vendosja vetë, kur do të ndaloja së luajturi futboll. Në fund të muajit Mars do të jem 34 vjeç. Mendoj se e është e duhur që të tërhiqem në këtë moshë, siç kam edhe numrin 34 në fanellë, që nga rinia ime”, tha Xhaka.

Mesfushori ia kushtoi të gjithë karrierën e tij Basel-it në Zvicër, përveç dy sezoneve si i huazuar te Grasshoper.

Pas më shumë se 400 ndeshje, Xhaka do të varë këpucët në gozhdë në fund të sezonit, duke i dhënë fund një karriere spektakolare.

Xhaka luajti për fanellën e Shqipërisë për 31 ndeshje, ku shënoi një gol, atë ndaj Izraelit në Shtator 2018. Mesfushori njoftoi tërheqjen nga Kombëtarja në vitin 2021. /tvklan.al