Dixon Handshaw kishte menduar gjithnjë se ishte fëmijë i vetëm. Por pas disa dekadash që ishte  adoptuar, 75-vjeçari mësoi se kishte plot vëllezër e motra të cilët i takoi pikërisht në periudhën festive.

Gjatë fundjavës, Handshaw fluturoi nga Karolina e Veriut drejt Nju-Jorkut ku takoi disa gjysmë- vëllezër e motra para darkës familjare të Krishtlindjeve.

“Gjithë jetën time, ëndërroja të kisha motra e vëllezër diku”,tha ai për WHAM që filmoi takimin e tyre të parë në aeroport. “Kjo është mrekullia ime e Krishtlindjes”.

Handshaw takoi rreth 50 të afërm që as nuk e dinte se ekzistonin. Mbledhja familjare ishte një surprizë e bukur për të pasi prindërit adoptues s’kishin fëmijë të tjerë e as ai të vetët.

“S’kam takuar kurrë dikë që ka të njëjtën ADN me mua”, tha ai. Por sapo takoi të afërmit, u puqën menjëherë. “Ishte  e mrekullueshme. S’kam ndier kurrë një dashuri kaq të madhe sa nga familja ime e re”.

I lindur në Bufalo, Nju-Jork më 1949, Handshaw  u adoptua kur ishte tremuajsh dhe kaloi një fëmijëri të lumtur, ndërsa prindërit nuk ia fshehën kurrë adoptimin.

“Doja gjithnjë t’i gjeja, por shteti i Nju-Jorkut i mbylli certifikatat e lindjes para birësimit dhe ishte e pamundur”. Në 2020-ën, certifikatat origjinale u rihapën pas miratimit të një ligji të vitit 2019.

Handshaw e mori certifikatën në gusht kur dhe mësoi emrin e babait biologjik Robert “Bud”  Romig.

Gjëja e parë që bëra kur mësova emrin e babait ishte ta kërkoja në Google dhe më doli nekrologjia e tij. Jo vetëm qëu shokova kur pashë se dukesha njësoj me të, por edhe që ai kishte shumë vëllezër dhe një motër”, tha Handshaw.

75-vjeçari nuk e di arsyen pse u dha për birësim, por i ati ishte diplomuar në fizikë në Cornell University ndërsa e ëma ishte sekretarja e departamentit. Nëna biologjike s’kishte bërë më fëmijë, por ai donte të dinte nëse i ati kishte të tjerë.

Babai biologjik i Dixon Handshaw

Roming u vendos në Rochester me  një grua që kishte tre fëmijë, ai i adoptoi dhe më pas bënë edhe një djalë e një vajzë. Handshaw kontaktoi Gary, një prej djemve të  birësuar të të atit sepse ndiente se ai do të shfaqte një lloj empatie prej kësaj të përbashkëte.

Gary ishte në punë duke ngrënë drekë kur mori telefonatën e  parë prej tij. “Mora një telefonatë dhe s’e njoha numrin. Rrallë përgjigjem kur nuk e njoh numrin. Por për një arsye, e hapa. Dhe ai më thotë,  ‘Përshëndetje, quhem Dixon. Ti je Gary Romig?’. Unë i them po, jam.  Ai vazhdon ‘Unë jam vëllai yt’ dhe thashë çfarë?’”

Më pas 75-vjeçari i dërgoi një foto ku Gary e dalloi menjëherë ngjashmërinë me njerkun. “I dërgova një foto dhe ai ua dërgoi të tjerëve. Ata thanë ‘Është babi!’ Gary i mbajti të gjithë në suspancë për dy orë e gjysmë para se t’u thoshte ‘Është vëllai juaj i ri’”, rrëfen Handshaw.

Ata nuk e kaluan Krishtlindjen bashkë,  por kanë planifikuar që do të takohen më gjatë në të ardhmen e afërt. Për momentin, por rifitojnë kohën e humbur dhe kanë nisur të shkëmbejnë mesazhe çdo ditë në një grup.

Handshaw shpreh dashurinë dhe mallin për prindërit birësues, por thotë se “ka dashur gjithnjë motra e vëllezër e tani i ka. Mendova se një ose dy do të ishte bukur. Kam gjashtë!”/tvklan.al