Ish-futbollisti Gentian Muça, mendon se skuadra e Tiranës ka zhvilluar një kampionat shumë të mirë deri tani, me përjashtim të ndeshjes ndaj Vllaznisë, ku u mposhtën me rezultatin 4-3.

Për Klan News, Muça deklaroi se bardheblutë do të ishin në pozita të tjera, nëse nuk do të humbisnin pikët në fund.

Sipas tij, në rezultatet e kryeqytetasve, ka ndikuar edhe çështja e stadiumit, pasi nuk kanë luajtur asnjë ndeshje në shtëpi.

“Egnatia do të jetë mes katër më të mirave mendoj. Elbasani e ka nisur shumë mirë. Dukej projekti shumë i mirë që në Kategorinë e Parë. Do të ishte një nga pretendentët kryesorë për të luftuar për “Final 4”.

Sigurisht që edhe çështja e stadiumit ka ndikuar te Tirana. Nëse në fazën e parë, për shkak të kalendarit luajti jashtë, tani edhe ato tre ndeshje që i kishte si pritëse, nuk i luajti as afër kryeqytetit. Nuk ishin fusha, në lartësinë e ndeshjeve. Nuk është e mirë edhe për futbollistët. Është një moment kalimtar dhe shpresoj të kalojë sa më shpejt për Tiranën, me sa më pak pasoja.

Vllaznia është në momentin që të lërë mbrapa ato oshilacionet. Kur bën ndeshje pozitive, ajo rikthehet dhe zhgënjen. Vllaznia është pretendente. Nuk duhet ta shpërqendrojë euforia.

Si tifoz uroj që të fitojë Tirana ndaj Egnatias. Që në fillim kur është ndërtuar Tirana, ka zhvilluar një kampionat shumë të mirë,  me përjashtim të Vllaznisë. Pa humbjen e pikëve, do ishin në të tjera pozita. Egnatia nëse do të ishte më kushte më të qeta, do të ishte më e lehtë për Tiranën. Do të jetë një ndeshje e studiuar shumë mirë dhe fiton skuadra që gabon më pak.

Teuta më ka befasuar. Kur Tirana mendoi për hapin e madh, ata e thyen. Durrsakët dinë kur të godasin dhe të marrin pikët.”, deklaroi Muça. /tvklan.al