Në fermën e qumështit Stalos në fushën e Thesalisë, gjëja e fundit që pronarja e fermës Ioanna Karra i shkonte ndër mendje ishte se do të përballej me murtajën e dhive.
Bashkëshorti i saj Thanasis Zouzoulas, dezinfekton kamionët që vijnë për të mbledhur qumështin nga 350 dhi dhe dele, pjesë e masave për të mbajtur larg këtë sëmundje.
Fermerët grekë humbën pothuajse të gjithë bagëtinë e tyre gjatë përmbytjeve të Shtatorit, dhe tani që virusi vdekjeprurës përhapet nëpër fermat greke, ata duhet të blejnë dezinfektues të shtrenjtë për automjetet që hyjnë në fermë.
Ioanna Karra, pronare e fermës: Gjatë përmbytjeve humbëm rreth 750 kafshë, kemi shpëtuar vetëm 50 dhe çdo krizë për momentin me bagëtinë na tremb, sepse për të dytin vit radhazi nuk mund të përballojmë as dëmin më të vogël.
Murtaja e dhive, një virus shumë ngjitës u zbulua për herë të parë në Greqi më 11 Korrik.
Të paktën 12,000 kafshë janë asgjësuar nga 22 ferma, dhe 300,000 janë testuar. Që nga e hëna qeveria ka vendosur ndalimin e therjes dhe çdo lëvizje të kafshëve.
Edhe pse nuk ka asnjë rast të regjistruar sërish po i ndjen pasojat për shkak të masave të marra nga qeveria. Ata nuk mund të blejnë më shumë dhi për të shtuar tufën e tyre, megjithëse u lejohet të shesin qumështin.
Stuhia Daniel dhe një stuhi tjetër, Elias, përmbytën rreth 35.000 hektarë në fushën e Thesalisë në Shtator, duke prekur rreth 30.000 fermerë.
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë, Georgios Stratakos tha se murtaja ishte një tjetër goditje për fermerët pas përmbytjeve, por premton se qeveria do të ndihmojë të prekurit.
Georgios Stratakos, sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë: Sigurisht që është padyshim një goditje e madhe, por qeveria, siç bëri edhe gjatë stuhisë Daniel, do të qëndrojë pranë këtyre njerëzve, për t’u dhënë atyre të gjitha mjetet, qoftë financiare apo institucionale, që të mund të rimëkëmben, të mund të rindërtojnë kopetë e tyre, dhe të jenë në gjendje të punojnë në këtë sektor dhe të jenë produktivë.
Stratakos thotë se po zhvillohen kontrolle dhe po hetohet origjina e virusit.
Georgios Stratakos, sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë: Sigurisht kur kemi një problem me një shtrirje kaq të madhe, përgjegjësitë nuk mund t’i takojnë njërit apo tjetrit, është një përpjekje në grup që duhet të bëhet, nga veterinerët shtetërorë deri tek ata privatë dhe kur kjo betejë me virusin të ketë përfunduar, atëherë sigurisht që konkluzionet që do të nxjerrim nga ky proces do të na udhëheqin drejt rezultateve që duhet të marrim parasysh në strategjinë tonë për këtë sektor.
Identifikimi i një rasti të vetëm me murtajën e dhive sjell asgjësimin e të gjithë tufës, më pas dezinfektohet ferma dhe kafshët në zonat pranë testohen për sëmundjen për sëmundjen ngjitëse.
Klan News