Greqia ka ndaluar zhvendosjen e dhive e deleve nga fermat si masë mbrojtëse për epideminë vdekjeprurëse të “murtajës së dhive”.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Costas Tsiaras, dha njoftimin për asgjësimin e bagëtive dhe ndalimin e zhvendosjes së tyre për riprodhim. E gjithë kjo përforcoi masat tashmë në fuqi të disa rajoneve të Greqisë qendrore ku u raportua fillimisht epidemia.
Virusi i njohur si peste des petits ruminants (PPR), është shumë ngjitës dhe shkakton sëmundje të rënda dhe ngordhjen e bagëtive. Nuk transmetohet te njerëzit, por mund të vrasë deri në 70% të dhive e deleve të infektuara.
Rreth 7000 kafshë në kopetë ku është identifikuar sëmundja janë asgjësuar në rajonin e Thesalisë, i cili është edhe më i prekuri. 1200 të tjera do të asgjësohen këtë javë, tha drejtuesi rajonal Dimitris Kouretas.
“Përforcimi i masave të sigurisë në vend është i nevojshëm për parandalimin dhe synon kufizimin e përhapjes dhe çrrënjosjen e sëmundjes”, tha ministri i Bujqësisë.
Identifikimi i një rasti sjell asgjësimin e të gjithë tufës, më pas dezinfektohet ferma dhe kafshët në zonat pranë testohen për sëmundjen, sipas protokollit të Bashkimit Europian./tvklan.al