LDK këmbëngul për postin e kryeparlamentarit
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka paralajmëruar kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti që takimi i radhës të jetë vendimtar për arritjen ose jo të marrëveshjes se qeverisë së re.
“Takimi i ardhshëm mund të bëhet vetëm për t’u arritur te marrëveshja dhe jo vetëm sa për tu ulur për të konstatuar se nuk arritëm asgjë. Prandaj këtë e kemi konstatuar që takimi ynë i ardhshëm të jetë takim i bërjes së marrëveshjes ose jo”.
Mustafa kundërshton propozimin e Kurtit për rritjen e numrit të posteve ministrore, nga 10 në 12. Ai kërkon që ndarja e tyre të jetë e barabartë dhe kreu i Kuvendit të jetë nga radhët e LDK-së.
“Në asnjë rast ne si LDK nuk kemi kërkuar shtim të ministrive, këmbim të ministrive por kemi kërkuar marrëveshje partneriteti. Prandaj, si të tillë nuk e diskutojmë një pozicionim të tillë të VV-së por i trajtojmë qëndrimet tona, se a mbetet LDK edhe më tutje pranë qëndrimit që ta ketë kryeparlamentarin dhe ta ketë zotimin për presidentin e vendit dhe të ketë 5 ministri”.
Të martën nënkryetarja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, tha se posti i kryeparlamentarit të cilin tashmë e ka zënë Glauk Konjufca, nuk shtrohet më për diskutim. Ajo paralajmëroi se Vetëvendosja është e gatshme të shkojë edhe në zgjedhje të reja, nëse nuk arrihet marrëveshja me LDK-në.
Tv Klan