Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka publikuar të enjten një letër që ka thënë t’i ketë dërguar ish-Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme, Frederica Mogherini, lidhur me kompetencat e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kur ky i fundit të jetësohet.
Mustafa ka thënë të ketë pranuar këtë letër më 24 gusht të vitit 2015, një ditë para nënshkrimit të marrëveshjes për parimet kryesore të Asociacionit.
“Në kontekstin e diskutimit tonë për themelimin e Asociacionit/ Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe, dua të konfirmoj se është kuptim i BE-së, se Asociacioni/Bashkësia – në harmoni me Marrëveshjen e Parë dhe ligjet e Kosovës – nuk do të konstituohet si nivel i tretë i qeverisjes dhe nuk do ketë fuqi ekzekutive. BE, në ushtrimin e rolit të tij si fascilitator i dialogut Prishtinë-Beograd do të vazhdojë të monitorojë respektimin dhe implementimin nga të dy palët të Marrëveshjes së Parë dhe marrëveshjeve të tjera të arritura në dialog”, thuhet në letrën e publikuar nga kreu i LDK-së.
Mustafa ka thënë se të njëjtin dokument ia ka prezantuar edhe të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajcak, gjatë një takimi të zhvilluar më 15 tetor në Prishtinë. Mes tjerash Mustafa ka thënë se këtë letër nuk e ka bërë publike më herët, pavarësisht pse ka thënë të ketë pranuar akuza për arritje të marrëveshjes.
“Dua të theksoj se këtë letër nuk e kam bërë publike në kohën kur akuzohesha nga VV dhe partitë e tjera të opozitës për këtë marrëveshje, sepse ato akuza i kam konsideruar të pabaza dhe vetëm si një kauzë politike kundër Qeverisë që e drejtoja”, ka deklaruar ai.
Deklarata e Mustafës, i cili ka mbajtur edhe pozitën e kryeministrit të Kosovës atëbotë, vjen pasi Lajçak ka deklaruar të enjten se themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është obligim që ka marrë Kosova me marrëveshjen e vitit 2013. Lajçak tha se zbatimi i marrëveshjes për Asociacionit t Komunave me shumicë serbe nga ana e Kosovës duhet të bëhet menjëherë pas arritjes së marrëveshjes përfundimtare me Serbinë. Mirëpo, para se të ndodhë kjo, Lajçak ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të fillojnë diskutimin për statutin e Asociacionit, si dhe t’i përfundojnë të gjitha çështjet e tjera të rëndësishme për këtë proces.
“Gjëja tjetër është të diskutojmë mbi statutin dhe kjo është ajo që ne presim. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse. Marrëveshja do të fillojë të zbatohet pas nënshkrimit. Pra, kjo do të thotë që zbatimi i marrëveshjes së Asociacionit, do të pasojë nënshkrimin e marrëveshjes. Por, detajet e Asociacionit duhet të dakordohen si pjesë e negociatave, sepse nuk duhet të mungojë qartësia e ndonjë çështjeje në momentin e nënshkrimit”, ka deklaruar Lajçak në Prishtinë.
Pas takimit që pati me Lajçak, të martën më 13 tetor, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se formimi i Asociacionit nuk do të bëhet pa arritjen e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi. Kjo marrëveshje, sipas Hotit, duhet të përfundojë me njohje të dyanshme.
“Asgjë nuk fillon të zbatohet derisa nuk përmbyllet marrëveshja përfundimtare me njohje reciproke e ratifikuar në Kuvendin e Kosovës”, ka deklaruar kryeministri Hoti.
Marrëveshja e Brukselit është dokumenti i parë mbi normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës. Kjo marrëveshje është nënshkruar më 2013 në Bruksel. Një nga pikat kryesore ishte formimi i Asociacioni të Komunave me shumicë serbe. Në vitin 2015, Serbia dhe Kosova arritën edhe një marrëveshje shtesë për parimet e themelimit e këtij Asociacioni.
Por kjo marrëveshja përfundoi në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës e cila ka konstatuar se në 23 pika të marrëveshjes, parimet nuk janë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës./REL