“Letër vetes” është një nga metodat e përdorura më së shumti për reflektimin dhe zhvillimin personal.

Tani, një kafene në Paris po i fton klientët e saj që t’i shkruajnë një letër vetes të cilën ata më pas ia  dërgojnë për 1, 5 apo 20 vjet.

Café Pli është vetëshpallur “kafeneja e parë e letrave në Francë” që i nxit klientët “t’i rrëfehen vetes me  zemër të hapur”. Kafeneja u çel nga Geneviève Landsmann e cila gjatë një udhëtimi në Korenë e Jugut zbuloi një të tillë.

E gjithë përvoja në këtë kafene të vendosur në République District kushton rreth 12 paund.

Gjithçka funksionon fare lehtë. Ndërsa shijoni kafenë dhe kroasanin, zgjidhni një kartolinë dhe i shkruani vetes një letër. Aty ka edhe ngjitëse të zbukuruara që letra juaj të jetë e bukur edhe estetikisht. Pasi përfundoni letrën, e vendosni në zarf dhe e vulosni me dyllë përpara se ta hidhni në njërën prej kutive.

Nëse dëshironi që letrën ta merrni brenda vitit, zgjidhni datën e saktë. Por nëse dëshironi që kjo të ndodhë pas 5 apo 20 vjetësh, letra ju vjen në fillim të vitit që i përket.

Nuk ka pse të shqetësoheni për një letër të humbur. Një zëdhënës tha se letrat ruhen në një vend të sigurt në kafene, organizohen sipas datave dhe presin momentin për t’u dërguar. Madje mund t’ia dërgoni edhe dikujt tjetër nëse dëshironi.

Sigurisht nuk përjashtohet mundësia që brenda 20 vjetësh të ndodhin ndryshime, por edhe në këtë rast ka disa rezerva. Nëse adresa e marrësit ndryshon, mund të përditësohet menjëherë në faqen zyrtare të kafenesë që të mbërrijë kudo ai të jetë.

Edhe nëse Café Pli do të mbyllet një ditë, letrat do t’i besohen dikujt që do të sigurohet që të dërgohen sipas planit. Letra juaj do ta gjejë gjithnjë rrugën./tvklan.al