Dhjetëra-mijëra njerëz marshuan në rrugët e kryeqytetit argjentinas, Buenos Aires gjatë ditës së djeshme për të protestuar kundër shkurtimeve buxhetore në universitetet publike. Pamjet e shkëputura nga protesta tregonin marshuesit duke kërcyer, luajtur instrumente muzikore si dhe duke mbajtur pankarta që bënin thirrje për mbrotjen e financimit të arsimit.
Presidenti i vendit, Javier Milei, sapo erdhi në detyrë vitin e kaluar, premtoi se do të vinte nën kontroll financat me shkurtime të mëdha buxhetore në sektorin publik. Qeveria e tij ka mbajtur financimin e universiteteve këtë vit në të njëjtin nivel si në vitin 2023, pavarësisht se inflacioni ka ulur vlerën reale të buxhetit deri në 80%.
Rektori i Universitetit të Buenos Aires, Ricardo Gelpi, ka paralajmëruar se institucioni arsimor mund të detyrohet të mbyllet brenda tre muajve nëse nuk merr më shumë fonde. Ivan Massari, një mësues i biologjisë dhe gjenetikës, tha se arsimi falas duhet të mbrohet sepse ishte mënyra më e mirë për të niveluar shoqërinë dhe për të krijuar mundësi për të gjithë.
“Arsimi publik është një mjet për transformimin social. Është mundësia që një person të jetë në gjendje të zhvillojë veten, të jetë në gjendje të kontribuojë në shoqëri dhe të jetë në gjendje të ndërtojë të ardhmen e tij”./tvklan.al