Të ftuar:

Xheni Danaj

Alfred Marku

Klaudia Karabolli

Freskida Miloti

Gazetare: Agida Koçi

#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.

2 receta nga Znj. Vjollca

Si të pjekim një pulë të plotë

1 zog pule Tik-tik

Piper të zi

Trumzë ose rozmarinë

1 kokë hudhër të plotë

Kripë

1 limon mesatar

Vaj

Për garniturën

2-3 qepë të thata

1 kokë hudhër të plotë

Vaj

Kripë

1 gotë verë e bardhë

Pastrojmë pulën, e thajmë mirë atë e më pas e marinojmë me piper të zi, pak trumzë ose rozmarinë. Në barkun e saj vendosim gjysmë kokë hudhër, pak kripë, 2 gjysma limoni dhe pak vaj. Vazhdojmë marinimin nga jashtë me kripë dhe vaj. E lyejmë mirë pulën dhe e vendosim në një tavë. I lidhim këmbët e pulës me spango kuzhine. Në një tas vendosim qepët të prera në copa të trasha më katërsh ose 6 pjesë . shtojmë në të thelpinjtë e hudhrës (të paqëruara). Marinojmë dhe qepët me kripë dhe 2-3 lugë gjelle vaj ulliri dhe i vendosim rreth e qark pulës në tavë. Kjo garniturë do ti japë pulës një shije të veçantë afërsisht si të çomlekut. Shtojmë në fund 1 gotë verë të bardhë dhe e vendosim pulën në furrë në temperaturë 180-190 gradë për rreth 1,5-2 orë. E shërbejmë të ngrohtë shoqëruar me pak qepë dhe hudhra.

Spinaq furre me krem

600 gr spinaq

300 ml krem pana

1 qepë

3 thelpinj hudhra

Vaj ulliri

Kripë dhe piper i zi

Arrë moskat

100 gr arrë moskat

Ngrohim vajin në tigan dhe kaurdisim hudhrat, më pas qepën të grirë imët deri sa qepa të zbutet. Shtojmë spinaqin dhe vazhdojmë përzierjen deri sa spinaqi të ulë volumin dhe të mos ketë lagështirë.

Ulim temperaturën dhe shtojmë kremin. Rregullojmë shijen me kripë dhe piper të zi dhe arrë moskat. Vazhdojmë gatimin në temperaturë minimale deri sa kremi të trashet pak. E transferojmë spinaqin në një tavë. Mbulojmë sipërfaqen me djathë të grirë dhe e pjekim në furrë në temperaturë 220 gradë për 15-20 minuta deri sa supërfaqja të marrë ngjyrë të artë të theksuar.

Të punosh në të njëjtin vend me partnerin/en

Si menaxhohen situatat kur punon në të njëjtin vend pune me partnerin/en

Frekuencë zemrash! U shkëput nga puna me bashkëshortin, Freskida Miloti: Ia kam ndier mungesën

Moderatorja Freskida Miloti ishte 17 vjeçe kru u njoh me partnerin, Dritanin në radio. Më pas historia vijoi edhe në punë e fakultet pasi pas përfundimit të ciklit të parë, nisën studimet në degën e Farmacisë  dhe ishin në të njëjtën klasë.

Në programin “Shije Shtëpie” në Tv Klan Freskida i kujton me nostalgji ditët kur studionin bashkë, përgatiteshin për provime dhe e kanë mbështetur njëri-tjetrin në çdo hap. Kjo vijoi edhe në punë pasi të dy ndanin eksperiencën me njëri-tjetrin por ia kanë ndier edhe mungesën pas shkëputjes.

Katerina Trungu: Ka krijuar në ndonjë moment  nevojën për hapësirë  nga njëri-tjetri?

Freskida Miloti: Ka pasur momentet e veta, por jemi mirëkuptuar dhe në momentin që unë mund të kem shkuar, i kam thënë po lëviz pak, do të të lë pak më shumë kohë në farmaci, më ka ardhur një mesazh “kam nevojë të pi një kafe me ty, tani s’ka shumë njerëz” kështu që ia ndiejmë  mungesën njëri-tjetrit. Ose anasjelltas, nëse ai ka ikur në një takim, ia ndiej mungesën qoftë edhe në banak, në farmaci kur jemi  bashkë. Në radio kam histori shumë të bukura, unë dua të ndaj një moment kur kam nisur punën në  Radio Tirana dhe kisha mbaruar atë ciklin 7-vjeçar të bashkëpunimit me bashkëshortin në radio. Kur  kam shkuar atje, ngaqë ai gjithmonë ishte përtej xhamit dhe isha mësuar t’i thërrisja zërin në mikrofon siç ishte më parë butoni që ne komunikonim vetëm përmes butonit me anën tjetër të teknikës, unë gjithmonë thërrisja “Tani” dhe mbaj mend, edhe djemtë e Radio Tirana i thërrisja “Tani” dhe më thoshin “e ke te shtëpia”. Ka qenë shumë e bukur eksperienca, por ia kam ndier mungesën sepse mendoj që emisionet më të bukura i kam bërë me Dritanin në radio.

‘Makthi’ i të punuarit me partnerin, moderatorja: Më bërtiti gjatë transmetimit!

Klaudia Karabolli është plotësisht kundër punës në të njëjtin ambient me partnerin. Ajo ndan në programin “Shije Shtëpie” në Tv Klan eksperiencën personale ku si faktor kryesor veçon shprehjen e problematikave dhe ngjarjeve të punës në shtëpi. Çdo diskutim jashtë punës vërtitet rreth saj dhe moderatorja e konsideron shumë të pashëndetshme për çiftin.

Një tjetër pikë ku ajo u ndal ishte edhe liria  brenda ambientit të  punës. Të dy partnerët mund të ndihen të kufizuar nga tjetri në raport me sjelljen e tyre ndaj kolegëve.

Klaudia Karabolli: Për mua personalisht, liria ime personale për të krijuar raporte me  njerëzit apo për të folur hapur, për të bërtitur apo për t’i thënë gjërat siç unë e mendoj, më ndikon që të mos e zgjedh punën me partnerin sepse thjesht një shikim i tij ishte “këtu e ke gabim, dudhet ta ulësh zërin”, pra më jepte mesazhe në heshtje. Kjo gjë nuk më ka pëlqyer dhe mendoj që e kam bërë edhe unë për të. Kam bërë të njëjtën sjellje siç ai e ka bërë për mua në momente që mendoja unë se duhet të ndërhyja. Mendojnë që njerëzit duhet të jenë të lirë të thonë dhe të bëjnë atë që mendojnë pa  pasur presionin e një presioni tjetër. Pra nëse ne nuk  jemi gati që të jemi vetjja 100% në praninë e partnerëve tanë, nuk dueht të punojmë në të njëjtin ambient. Nëse jemi gati  që të punojmë 100% të lirë siç jam tani dhe ai është tani, po.

Klaudia kujton edhe një episod kur çifti pati një përplasje gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë, ku pati  edhe ngritje zëri nga bashkëshorti.

Klaudia Karabolli: Shqetësuese ka qenë edhe një situatë tjetër kur ne kemi qenë në transmetim të drejtpërdrejtë në një ngjarje, në një vrasje dhe unë nuk isha e përqendruar. Partneri më bërtet në orar pune dhe unë nuk e pranoja dot që ai të më bërtiste mua, pra arrin marrëdhënia, ti nuk pranon dot. Okej,  gjej një mënyrë komunikimi, por në një tension pune ndodhin të gjitha. Një kolegu do t’ia pranoja të bërtiste në atë moment, atij nuk ia pranoja dot.