Eklipsi i plotë diellor ka kaluar, por ka akoma më shumë për të parë në qiell. NASA njofton se do mund të pikasim “kometën e djallit” menjëherë pas perëndimit të diellit.

Po çfarë është 12P/Pons-Brooks dhe pse është emërtuar “kometa e djallit”?
Është një ndër kometat më të shndritshme, që shfaqet njëherë në 71 vjet. Këtë emër e mori vetëm vitin e kaluar kur ajo formoi gjurmë në qiell që ngjanin me brirët.
Ajo është parë për herë të parë nga Jean-Louis Pons në 1812-ën e më pas nga William Robert Brooks në 1883-in. Siç thotë NASA, nga mesi i Prillit kometa do jetë shumë pranë Diellit dhe më pas do të zbehet. Më mirë ajo mund të shihet me dylbi ose një teleskop të vogël.

Sapo dielli të bjerë nën horizont, shikoni në perëndim, pikërisht në të djathtë të Jupiterit. Një orë pas perëndimit të diellit, kometa bie aq poshtë sa do të jetë e vështirë të shihet pa një pamje krejtësisht të qartë të horizontit. Më 2 Qershor do jetë më e afërt me Tokën, rreth 144 milionë milje nga planeti ynë. Deri në korrik, do të jetë shumë e errët për t’u parë edhe me dylbi.

A përbën kërcënim për Tokën ‘kometa e djallit’?
Astronomët thonë se ajo ka një orbitë të vendosur mirë që nuk e afron atë mjaftueshëm me Tokën për të paraqitur ndonjë rrezik.
Kometat janë copa të ngrira pluhuri, shkëmbi dhe akulli që mbeten nga formimi i sistemit diellor. Madhësia e tyre varion nga disa milje të gjera në dhjetëra milje. Ndërsa i afrohen diellit, ato nxehen dhe nxjerrin pluhur dhe gaz, duke krijuar një “kokë” me dritë dhe “bishtin”.

Numri aktual i kometave të njohura është rreth 3910./tvklan.al