Në të paktën 6 akse rrugore nuk do të lejohet kalimi pa zinxhir gjatë natës për shkak të rrezikshmërisë nga ngricat dhe dëbora. Ulja e temperaturave dhe rifillimi i reshjeve të dëborës sidomos në rajonin e Korçës dhe zonën e Llogarasë pritet të rrisë vështirësitë në akset kombëtare që lidhin këto zona. Autoriteti i Rrugëve njoftoi në mbrëmje se në segmentet Qafë Thanë-Kapshticë, Boboshticë-Dardhë, Korçë-Voskopojë, Qafë Qarri-Ersekë dhe Llogara-Himarë nuk do të lejohet asnjë mjet të qarkullojë pa zinxhirë nga ora 22 deri në orën 6 të mëngjesit të së shtunës pasi ngricat dhe reshjet e borës priten të shtohen.
Në Llogara janë angazhuar 3 borëpastruese dhe 1 fadromë. ARRSH thotë se drejtuesit e mjeteve që duhet ta përshkojnë këtë rrugë duhet t’i kenë vendosur me patjetër gomat e dimrit.
Më herët gjatë ditës probleme pati edhe në segmentin Ura e Cerenecit – Stëblevë dhe Lunik-Stëblevë, ku po është rekomanduar përdorimi i zinxhirëve. Të premten reshjet e dëborës përfshinë edhe jugperëndimin e vendit dhe rajonet bregdetare. Shqipëria është e mbërthyer prej dy ditësh nga një i ftohtë polar që ka kulmuar me temperatura deri në minus 13 gradë në zonat malore. Më të prekura janë qarqet e Kukësit, Dibrës, Korçës, Vlorës e Gjirokastrës. I ftohti ekstrem do të vijojë deri të dielën, ku temperaturat pritet të pësojnë sërish rritje.
Tv Klan