Reshjet e dëborës ndonëse me intensitet të ulët, kanë zbardhur zonat e thella malore të vendit. Në Qarkun e Shkodrës raportohet për reshje dëbore në Bashkinë Pukë dhe Fushë Arrëz, por pa krijuar probleme.
Në aksin Bogë-Theth, drejtuesit e mjeteve këshillohen të qarkullojnë me goma dimërore.
Pamjet e dëborës së parë në Vermosh i ka shpërndarë edhe Kryeministri Edi Rama, i cili shkruan se ato janë një ftesë ndjellëse për të shijuar alpet edhe gjatë dimrit falë aksesit të lehtë rrugor.
Ndryshe nga sa ndodh në zonat veriore, në Vlorë reshjet e shiut kanë sjellë prezencë të ujit në disa rrugë, por fatmirësisht nuk ka asnjë aks të bllokuar.
Sinoptikanët parashikojnë dobësim të reshjeve, ndërsa e shtuna dhe e diela rikthen motin me diell. Por temperaturat minimale do të pësojnë ulje.
Në zonat malore duhet treguar kujdes pasi problem këto ditë do të jenë ngricat. Reshjet e shiut pritet të rikthehen sërish javën e ardhshme.
Tv Klan