Si pasojë e motit të keq me rrebeshe shiu dhe erë, dy tragete në Durrës janë përplasur gjatë ankorimit, por fatmirësisht ka vetëm dëme materiale. Edhe një anije peshkimi është fundosur në basenin e portit të peshkimit.

Përkeqësimi i motit dhe era e fortë ka bërë që autoritetet të ndalojnë lundrimin e mjeteve të vogla dhe atyre të peshkimit, ndërsa Kapiteneria anuloi nisjen e tragetit të mesditës nga Durrësi drejt Barit.

Në disa rrugë të Lezhës ka prezencë uji, ndërsa në disa qytete është vështirësuar qarkullimi i automjeteve.

Parashikohet që reshjet me intensitet të lartë që pritet të bien deri në orët e pasdites të rrezikojnë përmbytje në disa qytete.

Bashkia e Vlorës u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos parkojnë në zonat me risk të lartë.

Shkodra, Lezha, Durrësi, Vlora, Saranda dhe Gjirokastra, do kenë rrebeshe shiu, duke bërë që të ketë problematika sa i përket përmbytjeve lokale”, thotë meteorologu Hakil Osmani.

Në orët e vona të natës, pritet të bie intensiteti i shiut, ndërsa në zonat malore nga 700 metra mbi nivelin e detit do të nisin reshjet e dëborës.

“Do të jetë të konsiderueshme, kryesisht verilindja dhe juglindja”, u shpreh Osmani.

Ndërsa reshjet e shiut do të ndërpriten në pjesën e dytë të ditës së martë, duke sjellë përmirësim të motit. Për Krishtlindje parashikohet mot i qëndrueshëm.

“Do të kemi prezente vranësirat e shpeshta të cilat në pjesën e dytë të ditës, në zonat verilindore dhe juglindje do të sjellin momente të pakta me flokë dëborë”, shtoi meteorologu.

Sa i përket temperaturave, nga e marta bien ndjeshëm. Problem do të jenë ngricat.

“Duke bërë që të zbresin deri në minus 6, minus 7, në qytetet e zonave malore, teksa në Elbasan apo Berat shumë pranë vlerës 0”, tha Osmani.

Pjesa e mbetur e vitit parashikohet të jetë me mot të qëndrueshëm.

Nata e ndërrimit të viteve pritet të vijë me alternime kthjellimesh dhe vranësirash.

Tv Klan