Operacioni vjen në një kohë teksa kërcënimet rriten mes konflikteve në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme
NATO ka zhvilluar stërvitjen më të madhe në Detin Mesdhe. Operacioni pranë brigjeve të Siçilisë vjen në një kohë teksa kërcënimet rriten nga Rusia mes konflikteve në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme dhe në Detin e Kuq me sulmet ndaj anijeve nga rebelët Houthi. Helikopterët qëndronin mbi det ndërsa një nëndetëse e madhe dilte nga deti pranë Katanias dhe disa anije të marinës monitoronin operacionin.
Në bordin e anijes komanduese, kundëradmirali amerikan Thomas Wall, komandant i njësive me nëndetëse të NATO-s, u shpreh se stërvitja vjen gjithashtu edhe në një periudhë kur kandidati republikan Donald Trump ka vënë në pikëpyetje përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për mbrojtjen e vendeve aleate.
“Jo vetëm që po bëjmë këtë stërvitje të madhe, por njësitë tona detare po punojnë gjithashtu së bashku në të gjitha frontet. Stërvitja ‘Steadfast Defender’, stërvitja më e madhe e NATO-s prej dekadash po vazhdon në Atlantikun e Veriut. Në planin detar, është një demonstrim i qartë i unitetit dhe fuqisë sonë transatlantike”, tha Wall.
Shtatë nëndetëse të NATO-s nga Greqia, Franca, Italia, Spanja, Turqia dhe Shtetet e Bashkuara morën pjesë në stërvitjen pranë brigjeve të Siçilisë. Mjetet detare që marrin pjesë në stërvitjen “Dynamic Manta 24”, shkëmbejnë rolet duke përmirësuar kapacitetet në dyluftimin në det.
Objektivi kryesor është përgatitja e ekuipazheve të NATO-s për t’u përshtatur dhe për t’iu përgjigjur çfarëdolloj kërcënimi që vjen. Marina italiane është organizatore e stërvitjes dhe ofron mbështetje logjistike nga baza detare në Augusta, nga porti i Katanias dhe baza ajrore në Sigonella. Stërvitja do të vazhdojë deri më 8 mars.
Klan News