Nuk është hera e parë që artisti i njohur Saype realizon vepra gjigande të artit. E fundit e realizuar prej tij është një pikturë gjigante që synon të tërheqë vëmendjen ndaj gjendjes së vështirë të emigrantëve që kalojnë Detin Mesdhe dhe atyre që përpiqen t’i shpëtojnë ata. Artisti shpjegon elementët e kësaj vepre.
“Një nga veçoritë e kësaj vepre arti është se e kam realizuar me elementë 3D. Këtu kemi një varkë që na bën të mendojmë për këto varka të mbingarkuara me njerëz që përpiqen të kalojnë Detin Mesdhe. Dhe pastaj është kjo vajzë e vogël që mban një llambë. Dhe për mua, kjo dritë është simbol i diçkaje që na udhëheq kur humbim në det.”
SAYPE thotë për agjencinë e lajmeve “Reuters” se dëshiron të ndihmojë organizatën e bamirësisë franceze SOS Mediterranee, e cila shpëton refugjatët dhe emigrantët që kalojnë nga Afrika në Evropë.
Vepra e artit e bërë nga materiale natyrale dhe në madhësinë e disa pishinave olimpike mund të shihet vetëm me dron.
Klan News