Irma Elezi nga Kavaja i është drejtuar emisionit “Stop”, pasi edhe pse gjykata ka vendosur për një detyrim ushqimor, që ish-bashkëshorti i saj duhet të paguajë, ai nuk e ka zbatuar. Irma tregoi, se është divorcuar në vitin 2012 dhe nga martesa e saj ka një vajzë. 

Çështja ka shkuar në zyrën përmbarimore, ku detyrohet Hipoteka e Kavajës të zbatojë një vendim për një truall të ish-bashkëshortit. Përgjigja e Hipotekës është se në emrin e kërkuar figuron një pasuri në legalizim e sipër.

Irma Elezi: Jam e divorcuar me një fëmijë. Me vendim gjykate, bashkëshortit tim i takon një detyrim ushqimor, i cili për kaq vite nuk e ka shlyer. Edhe jam munduar që ta kërkoj nëpër instancat përkatëse duke shkuar në gjykatë, gjykata më ka dërguar drejt zyrës përmbarimore, ku me anë të një prone që ai mund të ketë, të më shlyejë detyrimin për sa i përket vajzës.

Gazetarja: Zotëria në fjalë kishte një pronë?

Irma Elezi: Po kishte një pronë sepse unë në Aluzini-n e Kavajës mora një letër, të cilën ky zotëria ekziston me një pronë të legalizuar në 2017.

Në vitin 2017 kjo pronë legalizohet, por ish-bashkëshorti ka ndryshuar emrin, për t’i shpëtuar detyrimit. Hipoteka urdhërohet sërish për sekuestron e kësaj prone, por ajo tashmë nuk figuron me të njejtin emër. Zyra e hipotekës kërkoi një vërtetim, që tregonte se bëhej fjalë për të njëjtin person.

Irma Elezi: Ish-bashkëshorti im ndryshoi emrin.

Gazetare: Çfarë ndodhi më tej?

Irma Elezi: Më tej këta zotërinjtë këtu më thonë, më vërtetoni që ky Emiljan Leonidha Pello dhe Emanuel Loni Kekerri është po i njëjti person. Shkoj dhe marr një vërtetim që ky person është po i njëjti. Kur më vërtetojnë njëherë që ky ka një pronë në 3/10/2017 ndërsa në 25/11/2019 ka vërtetuar që ky zotëria këtu nuk rezulton pasuri e paluajtshme në emrin Emiljan Loni Pello.

Zonja e dorëzoi edhe këtë vërtetim, por tani prona ishte dhënë hua dhe përsëri nuk bëhej sekuestro.

Irma Elezi: Unë ja verifikova të gjitha dokumentet dhe zyra e përmbarimit gjithashtu në bashkëpunim ka bërë të mundur që  kjo pronë është vërtetuar që ekziston. Ndërsa në 2020 ata më bien mua, që unë prisja vendimin, ata më sjellin një letër ku më thonë, që ky personi duhet verifikuar sërish emri.

Gazetarja: Çfarë lëvizje është bërë me këtë pronë?

Irma Elezi: Ata në 2018, e kanë tjetërsuar këtë pronë në formën e një huaje, ndërkohë që kjo pronë është e bllokuar nga zyra e përmbarimit, për të më shlyer mua detyrimin ushqimor ndaj vajzës. Më bien një shkresë që ai nuk ka pronë, atje përsëri nuk marrë asnjë lloj përgjigje.

Gazetarja: Ke shkuar më tek zyra e përmbarimit pas këtij vendimi që të është dhënë?

Irma Elezi: Po duhet ta kërkosh tek Prokuroria më tha. Unë nuk iu drejtova Prokurorisë, se Prokuroria më ka zgjatur gjithashtu çështjet, i jam drejtuar emisionit tuaj këtë sepse nuk po gjej një zgjidhje siç duhet.

Gazetarja drejtohet drejt zyrës përmbarimore për të marrë një përgjigje.

Përmbaruesi: Ato njëherë, më kanë thënë, që është në legalizim. Pra, në momentin, që është në legalizim, unë nuk mund të bëj sekuestron sepse do ta lejoj që prona të legalizohet dhe unë të vazhdoj veprimet. Pastaj në momentin që i kam dërguar shkresë, i kam thënë, çfarëdo lloj gjëje të ndodhi, ju nuk do të lejoni tjetërsimin dhe në asnjë moment, s’kanë të drejtë pa i çuar unë një urdhër tjetër të heq sekuestron, apo të heq veprimet. Ato, që në 2017-ën, edhe pse unë iu kam bërë shkresë dhe do ta faktoj, ato duhet të vendosin sekuestron, duhet të bënin bllokim prone, nuk duhet të lejohej. Unë s’e kuptoj, si mund të rrijë një pasuri bosh, kur ne kemi çuar shkresë, që në 2017-ën.

Ndërsa Klodian Kumbaro, jurist pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Kavajë thotë, se ish-bashkëshorti i zonjës ka ndryshuar shumë shpesh emrin dhe mbiemrin, duke bërë kështu të ketë ngatërresa me zyrën përmbarimore. Por ai thotë se një letër që vërteton se ai person është i njëjti bën të mundur që procedura të vazhdojë dhe më prona të konfiskohet në favor të zonjës./tvklan.al