Ambasadori i Suedisë në Kosovë, nuk sheh ndonjë rrezik për funksionimin e shtetit edhe pas themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, megjithatë thotë se e kupton shqetësimin.
I rekomandon Kosovës që ta themelojë këtë strukturë. Sipas tij, krahasimi me Republikën Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë është i padrejtë.
“Eshtë paksa i padrejtë sepse ky është një kontekst krejtësisht tjetër. Pra, unë e respektoj frikën, ose më mirë shqetësimet, por mendoj se kjo mund të bëhet në një mënyrë të qetë. Unë vetëm mund të nënvizoj dhe mbështes shtetet e tjera anëtare të BE-së dhe SHBA-në duke thënë se ne i rekomandojmë qeverisë të krijojë një asociacion”.
Ndërsa, për aksionin e fundit të Policisë së Kosovës në zyrat financiare në veri, Westerlund ka thënë se kjo çështje duhet të trajtohet në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, mes dy shteteve fqinje, Kosovës dhe Serbisë.
Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe e la Kosovën jashtë Këshillit të Evropës. Kjo pasi Kosova refuzoi kushtin për themelimin e kësaj strukture që të anëtarësohet në Këshill.
Përpjekjet e fundit ku Kosova garantoi se do ta dërgojë në Kushtetuse nuk u morën parasysh nga ndërkombëtarët pasi letra ishte e vonuar. Madje kjo vuri në pah edhe raportet e ndërlikuara qe një kohë të gjatë të presidentes me qeverinë dhe Listën Guxo, listë kjo që e kishte themeluar vetë Osmani.
Klan News