Ministria e Shëndetësisë ka hartuar një projektligj të ri “Për shëndetin seksual dhe riprodhues” ku përfshihen dhe disa ndryshime sa i përket abortit vullnetar, i cili sipas këtyre ndryshimeve parashikohet të shtyhet me dy javë, duke shkuar nga 12 javë që është aktualisht në 14 javë.
Por kjo gjë sipas mjekes gjinekologe Denisa Golemi mund të rrisi pasojat negative shoqërore dhe shëndetësore.
Denisa Golemi, mjeke gjinekologe: Aborti është një e drejtë që i takon çdo gruaje, çdo vajze edhe nuk mund ta privojmë në këtë pjesë, por shtyrja e javëve për abortin e vullnetshëm nga 12 javë në 14 javë duhet riparë sepse 14 javë është një moshë pak e madhe barre për të bërë një ndërprerje të vullnetshme sepse në atë moshë ne e kemi parë edhe gjininë e bebit dhe mund të bëhet një rast abuziv për të bërë abortet selektive. Dimë shumë raste që preferojnë një gjini bebi apo një tjetri dhe në varësi të kësaj bëjnë edhe abortet.
Një ndryshim tjetër që propozohet t’i bëhet ligjit, është edhe dhënia e mundësisë të miturve mbi 16 vjeç që të vendosin për të ndërprerë shtatzëninë, pa informuar as prindërit.
Pasi në draft përcaktohet se, informimi nuk do të realizohet nëse e mitura ka arsye bindëse se njoftimi do të çojë në rrezik të qartë të dhunës në familje, kërcënime ose braktisje. Por çfarë thotë mjekja?
Denisa Golemi, mjeke gjinekologe: Në moshën 16 vjeçare vajzat nuk e kanë pjekurinë e duhur emocionale, anën e të llogjikuarit se çfarë janë duke bërë dhe mund të jenë duke bërë një veprim të gabuar dhe për këtë unë nuk do të isha shumë dakord te pjesa e ndërprerjes së vullnetshme dhe pa vënë në dijeni prindërit. Duhen shtuar pak më shumë politikat e edukimit tek të rinjtë për tu mbrojtur jo vetëm nga Sëmundjet Seksualisht të Transmetueshme, por edhe nga shtatzanitë e padëshirueshme sepse sot është trendi që marrëdhëniet seksuale fillojnë në një moshë shumë më të hershme se sa dikur.
Gjinekologia thotë se ndërprerja e shtatzanisë mund të shoqërohet edhe me pasoja të rënda shëndetësore.
Denisa Golemi, mjeke gjinekologe: Nëse nuk i ke kushtet familjare për ta mbajtur një shtatzani patjetër ekziston mundësia për ta bërë ndërprjen, por sa më herët aq më mirë, jo vetëm për efektin psikologjik të nënës, por edhe për efektin shëndetësor pasi rrezikon edhe një hemoragji që mund të ndodhë tek pjesa e abortit që mund të jetë edhe jetëkërcënuese për nënën e ardhshme. Infertilitet, patjetër. Çdo lloj aborti mund të çojë në infertilitet më vonë.
Gjatë një viti në Shqipëri kryhen rreth 5 mijë aborte, shumica e tyre janë spontane, pra ndërprerje e padëshiruar a barrës, ndërsa vullnetare janë më pak se 2 mijë.
Klan News