Në një kohë kur infeksionet respiratore po qarkullojnë masivisht në popullatë, duke arritur në 10 mijë raste në javë, ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik thonë se grupet e riskuara duhet të krijojnë imunitet përmës vaksinës së gripit. Ndryshe nga vite më parë, këtë vit vaksina ka nisur të aplikohet më herët.

“Ka filluar të aplikohet vaksina ndaj gripit sezonal, për të gjitha grupet e riskut. Ne e kemi filluar më herët se sa viti i kaluar, deri në këto momente 42 mijë doza janë aplikuar, derisa nuk kemi konfirmuar asnjë rast grip. Është shumë e rëndësishme që të kemi një forcim të imunitetit. Jo vetëm popullata e grupeve të riskut që e merr vaksinën falas, por edhe popullata tjetër që është e interesuar është momenti i duhur për të aplikuar tani”, shprehet drejtoresha e ISHP, Eugena Tomini.

Tomini thotë se çdo qytetar mund ta kryejë vaksinën, edhe në rastin kur dyshon se ka kaluar një situatë gripale, pasi qarkullimii influencës mund të përmbajë disa nëntipe.

“Nëse do të kemi një gjendje klinike, virusale të konfirmuar me diagnozën e gripit sigurisht që vaksina përmban disa agjentë. Ne nuk kemi vetëm një tip gripi, kemi disa tipe dhe nëntipe të gripit. Është shumë e rëndësishme që pas kalimit të asaj situate të vaksinohemi sepse mund të prekemi, mund të kemi bashkë-qarkullim të disa viruseve të influencës njëkohësisht“, thotë Tomini.

Në qendrat shëndetësore ka nisur shpërndarja e dhe aplikimi i 280 mijë dozave vaksinë gripi për popullatën e riskuar. Por edhe personat e tjerë të cilët aplikojnë çdo vit për vaksinë gripi, mund ta kryejnë atë në qendrat shëndetësore gjatë gjithë sezonit të dimrit.

Tv Klan