Nga rreth 19,600 maturantë që garuan në unviersitete, mbi 80% e tyre janë regjistruar në programet ku janë shpallur fitues. Sipas drejtori të rrjetit akademik shqiptar Arjan Xhelaj degët e preferuara mbeten mjekësia dhe IT, ndërkohë që edhe Universiteti i Sporteve ka ezauruar 100% kuotat.
“Ecuri shumë e mirë, kemi kaluar 80%-in. Mbi 15 mijë e 800 maturantë të cilët e kanë bërë tashmë zgjedhjen e tyre.Tani orientohen drejt degëve që ofrojnë mundësi më të shpejta punësimi dhe në këtë moment janë degët e shëndetit, inxhinierisë e IT-së. Stomatologjia gjithashtu është ezauruar komplet, infermieria, degët e sportit.”
Sipas Xhelajt edhe në degët me prioritet kombëtar interesi ka qenë i lartë. Ndërsa në rrethe universiteti i Durrësit ka arritur numrin më të lartë të regjistrimeve me mbi 1200 studentë në vit të parë.
“Vijojmë pastaj me Elbasanin, rreth 850. Shkodra afrohet diku te 700-shi, Vlora ka 630 regjistrime deri në këtë moment. Një ecuri e mirë, edhe Korça po i afrohet 400-it.”
Maturantët që nuk janë të kënaqur me degët ku janë regjistruar mund të çregjistrohen për t’u bërë pjesë e garës në raundin e dytë, i cili nis më 19 Shtator.
“Ata kanë në dispozicion një fazë të tërë 48 orë që nëse rimendojnë zgjedhjen e tyre, të shkojnë të çregjistrohen dhe të aplikojnë në raundin e dytë që nis në datat 19 deri më 21 Shtator. Duhet të informohen mirë për kuotat e lira.”
Universitetet brenda datës 18 Shtator do të bëjnë përshtatjen e kuotave të mbetura bosh nga raundi i parë dhe ti bëjnë publike për maturantët që do garojnë në raundin e dytë.
Klan News