Si presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy ashtu dhe Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio kanë mbërritur në Arabinë Sauditë për bisedimet e para që kanë në fokus fundin e luftës në Ukrainë.

Nga këto bisedime Uashingtoni pret që të bëhet “përparim thelbësor” me Ukrainën në mënyrë që të rifillojë ndihma ushtarake dhe ndarja e informacionit të zbulimit. Në Arabinë Saudite SHBA-ja shpreson të nënshkruajë dhe marrëveshjen për mineralet.

Delegacioni amerikan përbëhet nga i dërguari për Lindjen e Mesme Steve Witkoff, Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Mike Waltz.

Delegacioni ukrainas përbëhet nga Andriy Yermak, këshilltari i sigurisë kombëtare i vendit si dhe ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes, ndërsa vetë presidenti do të zhvillojë bisedime dypalëshe me Princin e Kurorës Muhamed bin Selman.

Duke folur me gazetarët gjatë rrugës për në Jeddah, Sekretari Rubio shprehu optimizëm për takimin e së martës. Ai tha se Uashingtoni duhet të kuptojë pozicionin e Kievit dhe të ketë një ide të përgjithshme se çfarë lëshimesh do të bëjë.

Ndërkohë Witkoff tha se hapi i parë është hedhur nga Zelensky i cili në letrën dërguar Trumpit kërkoi ndjesë për incidentin e ndodhur në Zyrën Ovale.

Presidenti Donald Trump ka rritur presionin ndaj homologut Zelensky për të pranuar kërkesën për armëpushim të shpejtë me Moskën, por pa ndonjë zotim të menjëhershëm për garanci sigurie nga SHBA-ja. Dhjetë ditë më parë të dy u përplasën publikisht në Shtëpinë e Bardhë.

Witkoff tha se ndër çështjet që do të diskutohen në Arabinë Saudite janë protokollet e sigurisë për ukrainasit dhe çështjet territoriale.

Një zyrtar i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit tha se administrata Trump beson se udhëheqja e Ukrainës është “gati të pranojë” kërkesën e SHBA-së për armëpushim.

Vetë Zelensky ka propozuar armëpushim në ajër dhe det, duke ndaluar sulmet nga ajri me dronë dhe operacionet në Detin e Zi, por jo në vijën e frontit.

Zelensky shkroi në mediat sociale të hënën se Ukraina “ka kërkuar paqe që në sekondën e parë të luftës dhe gjithmonë ka thënë se e vetmja arsye që lufta po vazhdon është për shkak të Rusisë”.

Pak më vonë, gjatë një konference ditore, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se është e rëndësishme të përcaktohet nëse Ukraina dëshiron vërtetë paqe apo jo.

Klan News