Volodymyr Zelensky tha se është gati për paqe në Ukrainë, ashtu siç ai vetë dhe vendi i tij kanë qenë gati dhe e kanë dashur paqen në në sekondat e para të nisjes së sulmit rus. Në një postim në rrjetin Telegram, Zelensky akuzoi Rusinë se është i vetmi shkak që lufta vazhdon edhe sot e kësaj dite.
Deklaratën e bëri para nisjes për në Arabinë Saudite, ku të martën ai dhe delegacioni ukrainas do të bisedojnë për procesin e paqes me nismën e presidentit amerikan Donald Trump.
Presidenti i Ukrainës do të bisedojë që këtë të Hënë në Xhedah të Arabisë Saudite me princin e kurorës Mohammed bin Salman Al Saud, por nuk do të jetë i pranishëm në takimin e delegacioneve të Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara. Deklaratën, Zelensky i bëri pasi presidenti amerikan Donald Trump e akuzoi gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë se po bëhet pengesë për paqen dhe se i ka humbur të gjitha mundësitë për të ndikuar në këtë proces pa ndihmën e Washingtonit.
Delegacioni i Shteteve të Bashkuara kryesohet nga Sekretari amerikan i Shtetit Marko Rubio, ndërsa pjesë e bisedimeve do të jetë edhe Këshilltari për Sigurinë Kombëtare amerikane Mike Waltz. Në takimin e radhës që është pjesë e negociatave të nisura më 18 Shkurt mes Washingtonit dhe Moskës nuk merr pjesë Rusia.
Tv Klan