Marrëdhëniet e Rusisë me Britaninë vazhdojnë të ruajnë një trajektore në rënie dhe janë në nivelet më të ulëta që pas Luftës së Ftohtë. Së fundmi, Moska ka akuzuar dy diplomatë britanikë për spiunazh dhe u ka dhënë atyre dy javë kohë për t’u larguar nga vendi.
Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë tha se dy diplomatët kishin dhënë informacion të rremë kur kishin marrë lejen për të hyrë në Rusi dhe se kishte identifikuar shenja të punës së inteligjencës që ata kishin kryer, duke dëmtuar sigurinë ruse.
Ambasada britanike, e cila në të kaluarën ka hedhur poshtë akuza të ngjashme kundër diplomatëve britanikë në Moskë ende nuk ka zgjedhur të reagojë mbi incidentin diplomatik.
Mbështetja e vazhdueshme e Britanisë së Madhe për ushtrinë e Ukrainës dhe deklaratat e fundit të Kryeministrit Keir Starmer për luftën kanë zemëruar Moskën.
Dy britanikët janë diplomatët e parë perëndimorë që janë dëbuar nga Rusia që kur Moska dhe Uashingtoni hapën bisedimet për rikthimin e funksionimit normal të misioneve të ndërsjella diplomatike.
Klan News