Kryeministri francez i emëruar së fundmi François Bayrou i mbijetoi një votimi mosbesimi në Asamblenë Kombëtare pasi deputetët socialistë dhe të ekstremit të djathtë vendosën të mos mbështesin një mocion të paraqitur nga partia e së majtës Franca e Papërkulur. 

Vetëm 131 ligjvënës votuan pro mocionit, larg 289 votave të nevojshme për ta miratuar atë. Partia e ekstremit të djathtë e Marine Le Pen kishte sinjalizuar se nuk do ta mbështeste mocionin i cili erdhi pas fjalimit të Bayrou të martën ku prezantoi planet e qeverisë së re. 

Vendimi i Partisë Socialiste për të votuar kundër mocionit ndezi debat midis aleancës së majtë Fronti i Ri Popullor (NFP) dhe u kritikua nga komunistët dhe ekologjistët. Qeveria e Bayrou tani përballet me një betejë të vështirë për të kaluar buxhetin e vitit 2025 që çoi në rrëzimin e paraardhësit të tij, Michel Barnier.

Në fjalimin e së martës, Kryeministri Bayrou propozoi bisedime për të rinegociuar reformën e pensioneve të Presidentit francez Emmanuel Macron të vitit 2023, si dhe shkurtime të rëndësishme buxhetore për të frenuar deficitin në rritje të vendit. 

Bayrou premtoi gjithashtu se nuk do të shkurtojë 4,000 vende pune në sektorin e arsimit publik në një përpjekje të fundit për të bindur Partinë Socialiste që të mos votonte mbi mocionin. Ai gjithashtu ra  dakord të mos rrisë taksën e energjisë elektrike në përputhje me inflacionin.

Klan News