Denaj: Shtojmë ndihmën sociale, shpërblimet dhe financojmë projektet që kanë ecur
Këshilli i Ministrave ndryshoi për herë të katërt buxhetin e këtij viti me akt normativ, pa prekur parametrat kryesorë të tij në kahun e të ardhurave, borxhit publik dhe parashikimeve për rënien e ekonomisë. Borxhi mbetet 81.% dhe ekonomia parashikohet të tkurret me 6.1%.
Në një konferencë për shtyp ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj tha se buxheti i ndryshuar bëhet për të rishpërndarë disa fonde në mënyrë që t’i vijë në nevojë qytetarëve të prekur nga situata e pandemisë.
“Parametrat kryesorë makroekonomikë nuk ndryshojnë si me defiçtin dhe borxhin. Ndryshimet lidhen me nevojën dhe emergjencën për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve.”
Ndryshimet e fundit mundësojnë dhënien e shpërblimit në masën 5 mijë lekë të rinj për pensionistët në fundvit, për një fond prej 34 milion dollarësh, ndërsa 14 milion Dollarë shkojnë për shëndetësinë në situatën e COVID dhe rritjen e fondeve për ndihmën ekonomike dhe aftësinë e kufizuar.
Denaj tha se buxheti jep 30 milion Dollarë fonde për projektet në infrastrukturë që kanë performuar mirë dhe po ashtu edhe 6.7 milion Dollarë për infrastrukturën e zgjedhjeve.
“2.9 miliard lekë janë pagesa për 30 projekte që kanë ecur me punimet të projekteve me financim nga buxheti. 673 milion lekë janë për zgjedhjet për identifikimin elektronik dhe projektin pilot të numërimit elektronik.”
Ministrja e Financave tha se shpërblimet e pensionistëve do të nisin të shpërndahen menjëherë, ndërsa fondet e rindërtimit që nuk arritën të disbursohen nuk do të digjen por do të trashëgohen në dy vitet e ardhshme.
Tv Klan