Gjashtë muaj pas ndryshimeve në kodin rrugor, në fletoren zyrtare janë botuar sërish disa ndryshime të tjera. Këto ndryshime lidhen me sigurinë rrugore, drejtuesin e mjetit, formimin dhe kualifikimin, lehtësim praktikash, risi për shërbimet e Drejtorisë së Transporteve si edhe për sektorin e Autoshkollave.
Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë së Transporteve është rritur vlefshmëria e provimit të fituar të teorisë nga 6 muaj në 1 vit. Ndryshim tjetër është forcimi i masave shtrënguese për drejtuesit e mjeteve që kanë humbur totalin e pikëve të cilët detyrimisht do të ndjekin kurs kualifikimi për një edukim mbi sjelljet e gabuara që kanë sjellë humbjen totale të pikëve të lejedrejtimit, pranë autoshkollave të licencuara!
Pas këtij kursi kandidati i nënshtrohet provimit teorik për normat e sjelljes si dhe provimit praktik mbi vlerësimin e sjelljes së drejtuesit gjatë situatave me risk të lartë në qarkullim. Ky sanksionim pritet të sjellë ndërgjegjësim, rehabilitim dhe rritje të sigurisë në rrugë duke shtuar kërkesat për rifitimin e lejedrejtimit, pasi kjo kategori mbetet problematike në kryerjen e shkeljeve të përsëritura deri me pasoja të rënda.
Në kuadrin e këtyre ndryshimeve, krijohet mundësia ligjore për kalimin nga lejedrejtimi e kategorisë B në patentë të kategorisë D pas përmbushjes së kritereve të vjetërsisë prej 3 vite kategori me lejedrejtimi B dhe moshës së drejtuesit të mjetit 24 vjeç, pa qenë e nevojshme lejedrejtimi e kategorisë C.
Gjithashtu mundësohet regjistrimi për marrjen e kategorisë A pasi ke mbushur moshën 24 vjeç, pa qene e nevojshme marrja e kategorisë A2 prej 2 vjetësh.
Për herë të parë drejtoria e policisë dhe ajo e transporteve marrin rol aktiv për rritjen e sigurisë rrugore dhe pezullimin e patentës të personave që janë përdorues të lëndëve narkotike e psikotrope. Në çdo rast që merret informacion për individë (nga kontrollet rrugore apo çdo hetim/testim tjetër) me analizë pozitive, DPPSH ia përcjell DPSHTRR-së dhe personit automatikisht i pezullohet patenta. Pezullimi i lejedrejtimit do të vijojë deri kur të vërtetohet rezultati negativ përmes analizës toksikologjike të kryer vetëm nga institucioni shtetëror kompetent.
Klan News