Në takimin që kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të martë me kryetarët e bashkive në vend, u ndal edhe tek përdorimi i Fondit Social. Kreu i qeverisë theksoi se ka bashki që nuk kanë marrë para nga ky fond pasi nuk kanë bërë asnjë projekt dhe këtë e konsideroi si diçka “në kufijtë e skandalozes”. Sipas tij, është e paimagjinueshme që paratë nuk merren në një kohë kur nevojat e bashkive janë shumë më të mëdha.
“Po ta lidh këtë me faktin që ne kemi bërë një ndryshim rrënjësor në qasjen ndaj Shërbimeve Social në bashki dhe kemi vendosur në dispozicion fonde nga qeveria dhe ka bashki këtu që nuk kanë marrë një kokërr leku dhe nuk kanë ngritur akoma shërbimet që mund të kishin ngritur me paratë që janë në dispozicion se nuk kanë bërë një projekt dhe nuk kanë çarë kokën, kjo pastaj është në kufijtë e skandalozes. 33 mijë persona sot shërbehen falë këtij transformimi dhe falë këtij programi e projekti. Shuma që përmendi ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies për projekte sociale janë para që janë në dispozicion si rezultat i rritjes së mundësive tona për të mbështetur procesin e ndryshimit, por është e paimagjinueshme që të mos absorbohen kur nevojat në të gjitha bashkitë tuaja janë shumë më të mëdha se ato që ne mund të mbulojmë ende me këto shuma. Kjo është e paimagjinueshme.
Me çfarë merreni ju se nuk e kuptoj? Po shikoja këtu para sesa të vija disa të dhëna dhe është e pakuptueshme që disbursimi i fondeve të Fondit Social ku fondi Social Qendror ka një kontribut të rëndësishëm në dispozicion të çdo bashkie është qesharak në disa bashki që teorikisht nuk mundet dot të jenë mbrapa të tjerëve sepse kanë situata, sidomos në zona periferike dhe rurale shumë më të agravuara sesa bashki që janë më qendrore. Pse? Pse? Pse për gratë me fëmijë të vetmuara, për fëmijët autikë, për individë të rrezikuar në aspektin social të kemi fondet dhe të mos i vemë në dispozicion? Pse?”, tha Rama.
Më pas kreu i qeverisë kaloi në shembuj konkretë. Si pozitivë mori rastet e Kamzës, Vorës e Shkodrës, ndërsa negativ Vaun e Dejës dhe një bashki që nuk donte t’ia përmendte emrin dhe që ka harxhuar vetëm 3% të buxhetit.
“Ndërkohë shikon bashki si Kamza që realizon 100% buxhetin. Nëse unë tani do bëja gabimin ti lë fjalën Rakipit, se Rakipi thotë dua më shumë sepse mund të shpenzoj më shumë. Kamza, një bashki që ishte modeli i antishërbimit social dhe ça të doni ju dhe që sot e merr fondin, e vë në dispozicion të komunitetit 100%. E njëjta gjë, Vora. Bashkia e Vorës në fondin e Mbrojtjes Civile ka 100 për qind realizim buxheti.
Pse duhet të kemi bashki të tjera që ka 3% të buxhetit? Nuk po ia përmend emrin. Kam respekt për drejtuesin e bashkisë. Nuk është Durrësi se Durrësin nuk dua të ma prekni, por 3%? Ndërkohë që Bashkia e Shkodrës, 95%. Tani pse Shkodra është 95% ndërsa unë besoj se Bashkia e Vaut të Dejës ka më shumë nevojë dhe ajo është 55%. Janë kontradikta në shifra që flasin vetëm për një gjë. Aty ku ka vëmendje, ku ka përqendrim, vëmendje dhe organizim këto fonde nuk mjaftojnë. Aty ku s’janë këto, fondet teprojnë dhe në fund digjen. Si mund të djegim ne një kokërr leku të vetme që duhet t’ua japim personave në nevojë”, tha kryeministri Edi Rama.
Një tjetër temë e tij ishte edhe ajo e legalizimeve. Ai kërkoi që bashkia të jetë krah qytetarëve për t’i lehtësuar ata.
“Njerëzit të kenë bashkinë në krah dhe procesi të bëhet shumë më i lehtë e shumë më pak i penguar nga ngarkesa e Kadastrës. Nuk dua të bëj prapë një pasqyrë shifrash se edhe këtu është e njëjta gjë, s’dua të përmend emra sepse një nga kryetarët më të zëshëm të bashkive që thoshte duhet ta marrë bashkia pjesën e përgjegjësisë ka nivelet më të ulëta të rezultatit. Ndërkohë bashkia më e suksesshme me tërmetin është bashkia e Shijakut për gjithë procesin e legalizimit. Nuk po them ta arrini Shijakun, se nuk e arrini dot! Rakip ti mund të bësh shumë gjëra, por nuk e bën dot. Kanë një shpejtësi të gjithë procesit dhe dokumentit, është kontakti me çdo lloj banori në çdo cep të Shijakut. Të paktën luftoni për vendin e dytë! Te legalizimet duhet shumë fokus, nuk ka justifikim!”, tha Rama./tvklan.al