Deri në 10,000 trupa mund të dërgohen në kufirin SHBA-Meksikë pasi Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se do të godasë emigracionin e paligjshëm. Ushtria amerikane po përgatitet të dërgojë edhe rreth 1,500 ushtarë në kufirin me Meksikën ku do të vendosin barriera dhe do të kryejnë misione të tjera kufitare.

Ndërkohë pritet t’u bashkohen rreth 2,200 ushtarëve aktivë, pjesëtarë të Gardës Kombëtare, që tashmë janë vendosur në kufi.

Urdhri i tij ekzekutiv i 20 Janarit udhëzon Pentagonin të dërgojë aq forca sa të jetë e nevojshme për të patur kontroll të plotë operacional ndaj kufirit jugor të Shteteve të Bashkuara. Nga ana tjetër, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi përfundimisht një projektligj që parashikon ndalimin nga autoritetet, të emigrantëve pa dokumente, të akuzuar për krime të ndryshme.

Ky mund të jetë dhe ligji i parë që Presidenti Donald Trump mund të nënshkruajë, ndërsa Kongresi, me një mbështetje dypartiake, po përparon me shpejtësi në përputhje me planet e Trump për goditjen e emigracionit të paligjshëm.

Politika e emigracionit ka qenë shpesh një nga çështjet më të debatuara në Kongres, por 46 demokratë iu bashkuan republikanëve duke mundësuar kalimin e projektligjit me 263 vota pro dhe 156 kundër. Për zbatimin e projektligjit do të kërkohej një rritje e kapaciteteve të agjencive të emigracionit dhe doganave, por nuk parashikon ndonjë financim të ri.  

Shumica dërrmuese e amerikanëve janë pro dëbimit të emigrantëve të dënuar për krime të dhunshme, sipas një sondazhi të fundit të kryer nga Qendra për Kërkime mbi Çështje Publike dhe Associated Press.

Klan News