Një ditë pasi propozoi ndryshimet në qeveri, kryeministri Edi Rama mblodhi mëngjesin e së hënës grupin parlamentar të PS. Në mbledhjen që zgjati rreth 30 minuta, morën pjesë edhe ministrat e rinj, Pirro Vengu, Ervin Hoxha dhe Petrit Malaj.
Gjatë mbledhjes, Rama u prezantoi deputeteve, anëtarët e rinj të kabinetit si dhe kryetarin e ri të grupit të PS, Niko Peleshi. Mësohet se kreu i qeverisë falënderoi Taulant Ballën dhe Niko Peleshin për kontributin e dhënë në krye të ministrisë së Brendshme dhe asaj të Mbrojtjes.
Menjëherë pas përfundimit të Kongresit, kryeministri Rama shkoi në zyrën e Presidentit duke i dorëzuar prozimet për ndryshimet në qeveri. Dekretimi i tyre nuk e ka marrë ende firmën e presidentit, i cili po verifikon sipas procedurave, emrat e ministrave të rinj. Nisur nga këto zhvillime, seanca e jashtëzakonshme e Parlamentit e parashikuar të zhvillohej këtë të hënë, është shtyrë për ditën e martë.
Në mbledhjen e Kongresit së PS, kryeministri Edi Rama njoftoi se Elisa Spiropali do të jetë kryetarja e re e Parlamentit, duke pasuar në këtë detyrë Lindita Nikollën e cila dha dorëheqjen për shkak të problemeve shëndetësore.
Taulant Balla u largua nga detyra e ministrit të Brendshëm dhe u zëvendësua nga Ervin Hoxha. Balla propozohet ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, që më parë mbahej nga Spiropali.
Niko Peleshi u largua nga detyra e ministrit të Mbrojtes, duke u zëvendësuar nga Pirro Vengu. Peleshi do të jetë kryetari i grupit parlamentar të PS, post që mbahej nga Bledi Çuçi. Ky i fundit do të jetë nënkryetar i Parlamentit ndërsa Petrit Malaj zëvendësoi në detyrën e ministrit të Financave, Ervin Meten.
Emrat e rinj nuk vijnë nga radhët politike të PS. Petrit Malaj ishte drejtori ekzekutiv i Agjencisë së Burimeve Natyrore. Ervin Hoxha mban postin e drejtorit të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit ndërsa Pirro Vengu është drejtor i Portit të Durrësit.
Klan News