Kryeparlamentarja, Lindita Nikolla, ka thirrur ditën e nesërme mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve që pritet të mbahet në orën 13:30. Me shumë gjasa, kjo mbledhje do të mbahet për diskutimin e dakordësie për negociatat PS-PD.
Më herët, Tv Klan mësoi se pas negociatave intensive të 2 javëve të fundit mes kryetarit të grupit parlamentar socialist Bledi Çuçit dhe homologut të tij demokrat Gazment Bardhit, pritet që opozita të heqë dorë nga strategjia bllokuese që në seancën e 21 Marsit.
Ndonëse ishte folur që kompromisi mes palëve mund të arrihej brenda kësaj jave, me gjasa dakordësia për çështjet që kanë ndezuar prej muajsh konfliktin në parlament mund të arrihet javën e ardhshme, ku opozita pritet edhe të heqë dorë nga strategjia bllokuese në seancën plenare të 21 Marsit.
Shumica ka pranuar 2 prej 8 kërkesave të opozitës për ngritjen e Komisioneve Hetimore, por nuk bëhet e ditur se cilat prej tyre. Gjuha e kompromisit nuk është gjendur ende për kërkesën tjetër, atë të propozimeve të demokratëve për ndryshimin e përbërjes së Komisionit të Reformës Zgjedhore, përfshirë dhe bashkëkryetarin.
Zhvillimet e fundit vijnë pas zyrtarizimit të bashkimit të grupimit të Berishës dhe të Bardhit./tvklan.al