Spiropali: Nuk kemi çfarë të negociojmë fshehur me opozitat
Takimi organizuar nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla me përfaqësuesit e grupeve parlamentare ka shqetësuar PD të drejtuar nga Lulzim Basha. Enkelejd Alibeaj ka kërkuar sqarime nga PS për negociatat me Gazment Bardhin, duke ngritur dyshime se mazhoranca dhe Grupi Parlamentar i PD po bëjnë pazare për dështimin e Reformës Zgjedhore.
“PS duhet të sqarojë nëse ka vendosur të bëjë pazar për Reformën Zgjedhore. Në media referuar burimeve nga PS dhe grupi i Sali Berishës, është bërë e ditur se ka një dakordësi për të dështuar Komisionin e Reformës Zgjedhore në mënyrë që çështja të kalojë në Komisionin e Ligjeve ku socialistët kanë vendimarrjen me shumicë votash e sidomos ku opozitës i mohohet e drejta e Vetos, si garanci që PS të mos bëjë ligj zgjedhor të njëanshëm duke peshkuar vota opozitare. Dihet se ata janë kundër votës së diasporës, votimit elektronik, listave të hapura, një zone elektorale. Nëse kjo është e vërtetë ky është një pazar në kurriz të shqiptarëve dhe për interesa të dy individëve që duan të mbajnë peng Shqipërinë, Rama dhe Berisha. Në emër të PD nuk mund të flasë asnjë i emëruar apo i dëshiruar i Edi Ramës.”
Sqarimi nga socialistët erdhi nga Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali e cila deklaron se PS nuk po zhvillon asnjë negociatë të fshehtë me PD, ndërsa shpreh dhe qëndrimin e mazhorancës për komisionet hetimore dhe reformën zgjedhore.
“Partia Socialiste nuk ka çfarë negocion fshehurazi me opozitat kuvendore. Hamendjet mediatike lidhur me një negociatë sipas disave për të qetësuar harbimin e rrugicës së dëshpërimit apo sipas disa të tjerëve për të vrarë të vetëvrarin Lul janë pa asnjë bazë.
Konkretisht:
1. Ne kurrë s’kemi penguar ngritjen e komisioneve hetimore, po bazuar në udhërrëfimet e Gjykatës Kushtetuese kemi refuzuar të votojmë për pseudo-komisione në shkelje të Kushtetutës. Çdo kërkesë për komision hetimor brenda kornizës kushtetuese është i mirëseardhur.
2. Sa për Komisionin e Reformës Zgjedhore opinioni ynë është publik dhe është shprehur ka kohë edhe nga vetë kryeministri. Thelbi është i thjeshtë fare: Komision Bipartizan me shumë Partiskanë ku secili do të nxjerrë nga qeleshja e vet një reformë sipas oreksit të vet, nuk kemi se si gënjejmë veten se bëhet dot.”
Qëllimi i takimit mes përfaqësueve të grupeve parlamentare është kthimi në normalitet të punimeve të parlamentit.
Klan News