“Pres që zgjedhjet të mbahen në atmosferë demokratike”
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, para korit diplomatik në Shkup bëri thirrje që metodologjia e re për zgjerimin e BE-së të miratohet më së voni deri në Mars të vitit 2020. Ai tha se mesazhet që vazhdimisht arrijnë nga udhëheqësia e BE-së, janë në drejtim të kompletimit të BE-së me vendet e rajonit të Ballkanit.
“Dëshiroj që sa më shpejt të gjitha vendet anëtare të BE-së ta njohin këtë moment vendimtar për hapa të guximshëm dhe konkret dhe bëj thirrje që metodologjia e re për negociatat të miratohet më së voni deri në Mars të vitit 2020, kurse paralelisht me miratimin e metodologjisë të merret vendimi për dhënien e datës për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë fqinje”.
Presidenti Pendarovski ka theksuar se nga qeveria kalimtare pret që zgjedhjet të organizohen në atmosferë demokratike kurse partitë të sillen me përgjegjësi.
“Pres që pas përfundimit të zgjedhjeve, shpejt të formohet qeveria dhe në këtë drejtim jam i gatshëm të kontribuoj në respektimin e Kushtetutës gjatë ndarjes së mandatit. Interesi i qytetarëve, pa marrë parasysh opsionin që përkrahin, është që të vazhdojnë proceset integruese. Pavarësisht se kush do të fitojë pres zbatimin e reformave të domosdoshme në drejtim të realizimit të përcaktimeve shtetërore për qëllimet tona strategjike”.
Presidenti Pendarovski në fjalimin para korit diplomatik, pret që dialogu Prishtinë-Beograd të ketë një dinamikë të re, në interes të dy vendeve, por edhe rajonit. Ai shprehet i bindur se çdo zgjidhje që do të dakordohet mes dy vendeve, ku do të respektohen të drejtat e sovranitetit dhe integriteti territorial i të gjitha vendeve fqinje, do ta ketë përkrahjen e Maqedonisë së Veriut.
Tv Klan