Për sa kohë do të qëndrojë në tendën e ngritur para kryeministrisë, opozita nuk do të marrë pjesë as në punimet e kuvendit.  Vendimi për bojkotin e parlamentit u mor në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike që u mbajt në të njëjtin vend ku demokratët po zhvillojnë protestën e tyre. Burime nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike thanë se për deputetët e opozitës është e pakuptimtë që njerëzit të jenë në shesh dhe ata të marrin pjesë në një parlament që sipas tyre nuk është legjitim.

Pas mbledhjes me kryesine e grupit parlamentar kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha foli për një mbështetje që ndërkombëtarët po tregojnë ndaj lëvizjes së opozitës.

Në tendën e protestave përveç mbështetëseve të opozitës qëndrojnë edhe deputete apo drejtues te selisë blu. Në orët e pasdites, Lulzim Basha, konfirmoi vendosmërinë e demokratëve për të qëndruar në shesh, duke akuzuar kryeministrin si të lidhur me bandat dhe krimin.

Ne selinë kryeministrore lëvizje gjatë paradites ishin të pakta, kjo dhe për faktin se është fundjave, por kjo nuk e ka penguar kryeministrin të shijojë një kafe me deputetin e PDIU Aqif Rakipi në një hotel qe ndodhet vetëm pak metra larg zyrës se tij dhe tendës ku demokratet po kërkojnë dorëheqjen e tij.

/ TV KLAN