Përleshje të ashpra ka patur mes oficerëve të policisë dhe protestuesve në Romë, por edhe në shumë qytete italiane gjatë demonstratave të organizuara në kujtim të një 19-vjeçari me origjinë egjiptiane që ndërroi jetë Nëntorin e kaluar.
Të paktën tetë policë janë plagosur në kryeqytet, ndërsa hetuesit po përpiqen të identifikojnë personat që ndezën dhunën.
I riu po lëvizte me mjetin e tij së bashku me një shok dhe nuk ishte ndalur për një kontroll nga policia. Pas ndjekjes së gjatë, ai ndërroi jetë pasi motorri i tij elektrik u përplas në një shtyllë.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, në një postim në internet, nënvizoi se “një tragjedi nuk duhet përdorur për të legjitimuar dhunën” dhe shprehu solidaritetin e saj me forcat e policisë.
Protestat u organizuan pas publikimit të një videoje nga Tv Rai në të cilën shihen makinat e policisë që kërkojnë të ndalojnë të riun dhe mikun e tij. Në disa sekuenca të videos mund të dëgjohet policia duke fyer.
Familjarët e të riut që humbi jetën janë distancuar nga aktet e dhunës së ditëve të fundit të ndodhura gjatë demonstratave të organizuara në kujtim të tij.
Klan News