Ditën e nesërme, më 24 Shtator 2024, bëhet një vit nga sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit në Kosovë, ku i vrarë mbeti rreshteri policor Afrim Bunjaku.
Për të folur më shumë mbi këtë ngjarje si dhe situatën në Kosovë, në një lidhje direkte me gazetarin e Klan News, Besard Jacaj ishte ish-Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu i cili u shpreh se ngjarja e Banjskës është një porosi dhe investim i qeverisë serbe.
Fatmir Sejdiu, ish-President i Kosovës: Unë them me plot argument se Banjska ka qenë një pikë kyçe që ndan dy periudha të zhvillimeve sa i përket ndëhyrjes së drejtpërdrejt të Serbisë në punët e Kosovës. Banjska ka marrë viktima me vete dhe është një shembull ku paraqitet si një element që vepron jashtë strukturave të shtetit për të siguruar elemente të bollshme si pasqyrë që të ketë ndërhyrje të drejtëpërdrejtë në Kosovë. Unë them dhe ajo që është dokumentuar thjeshtë ka një vonesë ndërkombëtare, por nga burime të tjera se Banjska ka qenë një porosi dhe investim i qeverisë serbe. Një investim me të cilin qeveria serbe ka dashur të bëjë një ndërhyrje që e ka pasur edhe më të hershme.
Unë ju kam thënë edhe njëherë një zhvillim interesant që i ka rrënjët që nga koha e bisedimeve të ndërhyrjes ushtarake ndërkombëtare në Kosovë dhe ata kanë pritur një moment të përshtatshëm për të bërë atë që bënë. Ajo që unë mund të them është që ka qenë një përgjigje jashtëzakonishme e institucioneve të Kosovës, por edhe një shikim i drejtpërdrejt i zhvillimeve nga ana e forcave ndërkombëtare.
Banjska është një etapë që ka hapur një qasje të re të qeverisë serbe që të ketë një presion të dyfishtë ndaj Kosovës e para të ketë presion për të futur element të caktuar në pjesën e marrëveshjeve që kemi dhe nga ana tjetër kërcënimin e saj se mund të përsëritet një diçka e tillë. Për Kosovën është shumë e rëndësishme bashkëpunimi me faktorin ndërkombëtar për të gjitha temat që lidhen me Kosovën veçanërisht temat e ndjeshme që kanë qenë këto sepse është një kohë tepër e ndjeshme.
Sa i takon marrëdhënies së Kosovës me ndërkombëtarët dhe çështjes së hapjes së Urës së Ibrit, ish-Presidenti Sejdiu shprehet se Kosova duhet të tregohet e kujdesshme teksa theksoi se janë të domosdoshme konsultimet me ndërkombëtarët për këto tema të nxehta.
Fatmir Sejdiu, ish-President i Kosovës: Unë jam për një kujdes dhe gjetjen e formulës më të mirë në ecjen e mëtejshme në procese në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe me vendet e tjera që kanë shprehur reagimet e tyre. Pavarësisht nga kjo unë them që kjo lojë që bën Serbia me urën e ka ngritur tensionin posaçërisht tek faktori kombëtar te njësitë e KFOR se mund të ndodh diçka e papritur. Në këtë drejtim institucionet e Kosovës duhet të kenë një kujdes të veçantë, duhet të kenë një bashkëpunim. Unë mendoj që është e drejtëpërdrejt nevoja e konsultave për tema të nxehta si kjo dhe paralelisht një kujdes të jashtëzakoshëm që kjo mos të jetë një diçka që ndikon proceset e tjera që janë të nevojshme që të çtensionohen dhe për Kosovën të sigurohet një ecje e sigurtë pavarësisht presioneve anash. Në këtë rrugë Kosova ka kapacitete të cilat mund të mbajnë barën si duhet, por kam bërë një apel që edhe forcat e tjera politike të jenë partner sepse Kosova është e të gjithëve.
Gjatë fjalës së tij ish-Presidenti paralajmëroi se mund të ketë një njohje të Kosovës që do të jetë një surprizë, duke mos dhënë më shumë detaje. Ndërsa sa i takon kërkesave të Presidentit serb Vuçiç ndaj Kosovës Sejdiu shprehet se ky i fundit është përpjekur të tregojë Kosovën si një faktor destabilizues dhe që nuk dëshiron bisedime paqësore./tvklan.al