Vazhdon të ekzistojë rreziku potencial që grupe të armatosura të përkrahura nga strukturat në Serbi, mund ta përsërisin sulmin terrorist në Kosovë, me synime politike si ai i Banjskës së viti të kaluar ka paralajmëruar ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Ai ka thënë se kjo mund të ndodh për faktin se grupet terroriste në krye me Milan Radoiçiçin, enden të lirë, trajnohen e zhvillojnë aktivitete në Serbi.
Ejup Maqedonci, ministri i Mbrojtjes së Kosovës: Përderisa grupi i Radoiçiçit dhe grupet tjera kriminale dhe terroriste qarkullojnë të lira në Serbi, për më tepër trajnohen dhe zhvillojnë aktivitetet atje, vlerësojmë që prapë mund të ketë rreziqe të ngjashme.
Megjithatë sipas tij në vend janë krijuar kushte për të parandaluar këto rreziqe.
Ejup Maqedonci, ministri i Mbrojtjes së Kosovës: Dhe këto parakushte janë krijuar nga institucionet tona por edhe nga prezenca e shtuar e trupave të KFOR përgjatë vijës kufitare me Serbinë.
Sipas tij, Serbia vazhdon të mbajë rreth 70% të kapaciteteve të saj ushtarake në jug dhe 48 baza të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe përgjatë vijës kufitare me Kosovën.
Ejup Maqedonci, ministri i Mbrojtjes së Kosovës: Thelbi i kërcënimit ushtarak të Serbisë është gjithmonë politik, Serbia po vazhdon të ketë qasje hegjemoniste në raport me Kosovën, por edhe me vendet e tjera fqinje.
Ai konsideron se aktivitetet ushtarake të Serbisë, përfshirë blerjen e armëve dhe prodhimin e tyre, janë një kërcënim jo vetëm për Kosovën.
Ejup Maqedonci, ministri i Mbrojtjes së Kosovës: Normalisht që gjithë ky militarizim paraqet kërcenim jo vetëm për Kosovën, por për gjithë stabilitetin në Ballkan. Ky kërcënim vjen edhe si trimërim që Serbia po e merr nga federata Ruse.
Aktualisht sipas një marrëveshje Forca e Sigurisë së Kosovës nuk ka të drejtë të veprojë në veri të vendit pa lejen e KFOR-it. Për situatën e sigurisë në këtë pjesë kujdeset Policia e Kosovës dhe KFOR-i.
Klan News