Breshëria e raketave hakmarrëse iraniane ndaj Izraelit ka shkaktuar një valë kërcënimesh të ndërsjellta mes Tel Avivit dhe Teheranit.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu kërcënoi Iranin se do ta paguajë shtrenjtë gabimin që bëri mbrëmjen e të Martës. U përgjigj shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë iraniane Mohamed Bageri, i cili i bëri thirrje Izraelit të mos ndërmarrë hapa që cenon integritetin territorial të Iranit, pasi kundërpërgjigjja do të jetë shumë herë më e rëndë se ajo e të Martës.
90% e 180 raketave të hedhura nga Irani u shkatërruan në ajër nga sistemi anti-ajror izraelit “Mburoja e Hekurt”. Ndryshe nga sa pretendon Teherani se raketat kishin në shënjestër vetëm objektiva ushtarake, disa prej tyre ranë pranë zonave të banuara, si rasti që është filmuar nga një banor i Tel Avivit.
Dëme pati në restorante, banesa e automjete.
Në Bregun Perëndimor, një person humbi jetën nga mbetjet e raketave iraniane të shkatërruara në ajër. Në mediat ndërkombëtare njoftojnë se për të parën herë iranianët përdorën raketën hipersonike Fatah-1 që arrin një shpejtësi deri 6 100 kilometra në orë, e pakapshme nga sistemet anti-ajrore.
Presidenti amerikan Joe Biden dënoi sulmin iranian, ndërsa tha se Washingtoni do të mbështesë Izraelin me kundërpërgjigjen. Ndërkaq, Izraeli shpalli “non-grata” Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres, që nuk e dënoi sulmin iranian. Në një mbledhje urgjentë të këshillit të sigurimit Guterrez apeloi për ndaljen e dhunës ndërsa përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara paralajmëroi Iranin se me sulmet ndaj Izraelit po prek edhe Shtetet e Bashkuara.
Tv Klan