Përçarja mes dy vendeve aleate Izraeli dhe SHBA vijon të thellohet. Në një raport të ri, Departamenti Amerikan i Shtetit vlerëson se ushtria izraelite mund t’i ketë përdorur armët me të cilat i kanë furnizuar amerikanët në një mënyrë të papajtueshme me ligjet ndërkombëtare.
Megjithatë në raportin prej 46 faqesh të paklasifikuar të Departamentit të Shtetit drejtuar Kongresit theksohet se rrethanat e luftës ua kanë bërë të pamundur zyrtarëve amerikanë të provojnë këto shkelje. Raporti mund t’i japë administratës një arsye për të mos i dërguar armë Izraelit.
Vlerësimi nga Departamenti Amerikan vjen pas shtatë muajsh sulmesh ajrore, luftimesh tokësore dhe kufizimeve të ndihmave që kanë shkaktuar vdekjen e afro 35,000 palestinezëve, kryesisht gra dhe fëmijë.
Biden është përpjekur të mbajë një ekuilibër gjithnjë e më të vështirë, në mbështetje të luftës së kryeministrit Benjamin Netanyahu kundër Hamasit. Ai është përballur me indinjatë në rritje brenda dhe jashtë vendit lidhur me rritjen e numrit të viktimave por dhe gjendjes gjithnjë e më të vështirë humanitare.
Tensionet janë rritur javët e fundit për shkak të këmbënguljes së e kryeministrit Benjamin Netanyahu për të zgjeruar ofensivën e ushtrisë izraelite në qytetin jugor të Rafahut, pavarësisht kundërshtimit të vendosur të Biden. Evakuimet nga zona të ndryshme të Rafahut ku pritet të hyjnë trupat tokësorë vazhdojnë, bombardimet nga ajri janë intensifikuar dhe trupat tokësorë kanë rrethuar qytetin.
Klan News