Ministri i Financave, Ervin Mete, njoftoi këtë të mërkurë se Këshilli i Ministrave miratoi vendimet që detajojnë rritjen e pagave për të gjitha kategoritë e parashikuara në buxhetin e këtij viti.
Ministri Mete tha se pagat e rritura në administratë fillojnë të aplikohen në 6 mujorin e dytë të këtij viti, pra nga 1 Korriku. Po ashtu përllogaritet që nga zbatimi i kësaj politike paga mesatare në sektorin publik të arrijë në 105 mijë lekë e të përfitojnë rreth 135 mijë punonjës të administratës.
“Kam kënaqësinë t’ju njoftoj se sot në Këshillin e Ministrave miratuam vendimet specifike që detajojnë rritjen e pagave për të gjitha kategoritë e parashikuara në buxhetin e këtij viti. Me miratimin e këtyre vendimeve avancojmë fazën e dytë të politikës së rritjes së pagave e cila siç e dini ka nisur në vitin 2023 dhe nga e cila përfitojnë rreth 135 mijë punonjës të administratës shtetërore publike. Përmes zbatimit të kësaj politike paga mesatare në sektorin publik arrin në 105 mijë lekë. Pagat e rritura fillojnë të aplikohen në 6-mujorin e dytë të vitit, pra duke filluar nga 1 Korriku me një kosto të përllogaritur prej 11 miliardë lekësh për 6 mujorin e dytë të vitit 2024 dhe me një kosto totali buxhetore prej afro 40 miliardë lekësh duke filluar nga viti 2025”, tha Mete.
Nga kjo politikë përfitojnë punonjësit e sistemit arsimor parauniversitar, punonjësit e sistemit shëndetësor, punonjësit e sistemit të sigurisë së vendit, pra Policia e Shtetit, Policia e Burgjeve, Garda e Shtetit, Forcat e Armatosura, mbrojtja nga zjarri dhe shpëtimi si dhe punonjësit e nivelit zbatues dhe mbështetës të administratës shtetërore.
“Me ndryshime ligjore të miratuara parashikohet indeksimi i të gjitha pagave në administratën publike, indeksim që do të realizohet në vazhdimësi për çdo dy vjet dhe siguron që rritja e pagave të jetë vijuese me normën e inflacionit”, shtoi në fund Mete.
TË GJITHA KATEGORITË QË PËRFITOJNË NGA RRITJA E PAGAVE
Ushtria
-Për ushtarin bazë, me rritjen e sotme paga e tij shkon në 71 mijë Lekë
-Rreshteri, 80 mijë Lekë
-Majori, 107 mijë Lekë
-Koloneli, 158 mijë e 500 Lekë
-Gjenerali, 190 mijë Lekë.
-Të gjitha këtyre pagave u shtohet një trajtim ushqimor, prej 16 mijë Lekësh
Zjarrfikësit
-Asistent Zjarri (grada më e ulët) 60 mijë Lekë
-Zjarrfikës 65 mijë Lekë
-Kryezjarrfikës 70 mijë Lekë
-Kryeinspektor zjarrfikës 85 mijë Lekë
-Inspektor zjarrfikës 75 mijë Lekë
-Komisar zjarrfikës 105 mijë Lekë
-Drejtues zjarrfikës 155 mijë Lekë
-Drejtues i parë zjarrfikës 140 mijë Lekë
-Drejtues i lartë zjarrfikës 160 mijë Lekë
Sistemi arsimor
-Paga e mësuesit në arsimin e mesëm të lartë që ka kualifikimin dhe që ka vjetërsi mbi 15 vite pune eksperiencë do shkojë 98 500 Lekë.
-Paga mesatare e mësuesit në arsimin e mesëm të ulët me mbi 15 vite vjetërsi shkon nga 75 800 në 96 000 Lekë.
-Mësuesit e ciklit fillor ku paga mesatare me mbi 15 vite eksperiencë nga 72 mijë Lekë paga shkon në 95 200 Lekë.
-Punonjësit e shërbimit psiko-social, paga mesatare shkon 910 Euro.
-Për oficerët e sigurisë 800 Euro në muaj si pagë mesatare.
Sistemi shëndetësor
-Të gjithë mjekëve të përgjithshëm u rritet paga me 20 mijë Lekë mbi pagën ekzistuese.
-Të gjithë infermierëve u rritet paga me 15 mijë Lekë mbi pagën ekzistuese.
-Përfitojnë edhe punonjësit e administratës së sistemit shëndetësor, 15 deri në 20 përqind të pagës së tyre aktuale.
Sektori i burgjeve
-Rritja e pagave varion nga 13 deri në 27 përqind.
-Rritja shkon nga 6 mijë Lekë, deri në 33 mijë e 600 Lekë e përshkallëzuar sipas gradave.
-Aspirantët, pjesë e strukturës së Policisë së Burgjeve dhe do paguhen me 80 për qind të pagave të inspektorit.
/tvklan.al