Kreditimi i ekonomisë shqiptare ka vijuar me shifra tepër pozitive dhe në rritje gjatë viteve të fundit, referuar Bankës së Shqipërisë. Vetëm gjatë 2023-it kreditimi në total rezultoi në 12%, progres i cili vijoi edhe gjatë 3-mujorit të parë të këtij viti sipas Guvernatorit Gent Sejko.
Gent Sejko: Vetëm vitin e fundit ne kemi një rritje të kreditimit në total rreth nivelit 12% dhe kredia për biznesin privat është rritur në nivelin 8% në 2023-in. 3 mujori i parë i këtij viti ka përsëri rritje të kredive me 12%. Janë shifra premtuese dhe rezultat i shoqatave të bankës dhe sistemit bankar.
Ndërsa Ministri i Financave, Ervin Mete nënvizoi se kërkohet një angazhim më i madh i sektorit bankar për sa i përket kreditimit dhe mbështetjes së ekonomisë.
Ervin Mete: Ky sektor duhet të jetë dhe më aktiv sa i përket kreditimit dhe mbështetjes së mëtejshme të ekonomisë, veçanërisht e atyre sektorëve që kanë qenë dhe mbeten më shumë në nevojë. I duhet kushtuar vëmendje e posaçme alokimit sa më efiçent të fondeve drejt atyre sektorëve me produktivitet, por gjithashtu duke zgjeruar praktika të aplikuara tashmë në masë të gjerë në vendet evropiane.
Më tej Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave evidentojnë se inovacioni, digjitalizimi dhe modernizimi i mëtejshëm i shërbimeve, duhet të mbetet një prioritet i sektorit bankar të vendit.
Klan News