Faiket Luari është një shqiptar i cili nga Berati është larguar drejt Kuala Lumpurit në Malajzi për studime ku më pas u vendos atje dhe krijoi familjen e tij.

Në një lidhje për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Faiket Luari tregon eksperiencën e tij në këtë shtet të largët nga Shqipëria ku shprehet se nuk e përjashton mundësinë e kthimit në Shqipëri edhe pse gruaja e tij është me origjinë nga Malajzia.

Shqiptari shprehet se kur kthehet në Shqipëri vihet re ndryshimi në vend, ku theksoi përmirësimin e infrastrukturës. Tashmë ai është pastor i një kishe në zonën ku jeton.

Blendi Fevziu: Nga cila zonë shqiptare je?

Faiket Luari: Nga qyteti më i bukur në botë, Berati.

Blendi Fevziu: Obobo ça sherri do hapësh ti me ata që janë aty, se secili e di qytetin e tij më të bukur në botë. Sa vite ke në Malajzi?

Faiket Luari: U bënë 32 vite.

Blendi Fevziu: Po mirë si mund të ikësh nga qyteti më i bukur në botë edhe të jetosh 32 vite në Kuala Lumpur.

Faiket Luari: Më dëbuan, jo jo bëj shaka. Nga Shqipëria erdha në Malajzi si student, e pastaj ndejta.

Blendi Fevziu: Si është jeta në Kuala Lumpur dhe në Malajzi në përgjithësi? Je i martuar atje, ke fëmijë?

Faiket Luari: Po po jam i martuar. Kam gruan, kam edhe dy fëmijë.  Gruaja është vendase. Këtu janë të përzier shumë… Nusja ime është malajzjane, por është kineze si racë… Kam një vajzë 18 vjeçe dhe një djalë 11 vjeç.

Blendi Fevziu: Si është jeta në Malajzi? Ishte i vështirë ambientimi?

Faiket Luari: Në fillim ka qenë shumë, shumë e vështirë, sidomos jeta si student, por u ambientova. Duke ikur vitet duke u ambientuar me ushqimet e me kulturat e ndryshme, por më bëri përshtypje harmonia e vendit se si raca të ndryshme jetojnë në paqe dhe në harmoni me njëri-tjetrin.

Blendi Fevziu: Kur ke ikur ti, Shqipëria ishte katastrofë. Kudo të shkoje dukej sikur do të shkoje më mirë, por me ushqimin si ja bëre?

Faiket Luari: Siç thash në fillim ishte shumë e vështirë. Në fillim haja ca gjëra si tip kulaçi me sheqer, se nuk haja dot gjë tjetër.

Blendi Fevziu: A vjen shpesh në Shqipëri?

Faiket Luari: Njëher në dy apo tre vite. Fëmijët e pëlqejnë shumë, sidomos nusja e pëlqen shumë Shqipërinë.  Në përgjithësi unë kam pasur probleme me Shqipërinë vite më para sepse ishte koha që njerëzit ziheshin e bënin sherre për gjëra kot. Tani besoj se s’ka ndonjë problem… Më bën shumë përshtypje që njerëzit jetojnë nëpër kafene dhe them si nuk kanë punë këto njerëz dhe ku e nxjerrin Lekun.

Blendi Fevziu: Po kur kthehesh i sheh ndryshimet. Të duket ndryshe?

Faiket Luari: Po po, përshëmbull herën e fundit që erdhëm me familjen infrastruktura kishte ndryshuar shumë në krahasim me çka qenë. Tani infrastruktura ka ndyshuar dhe është diçka që gëzohemi si shqiptarë që jemi kur kthehemi.

Blendi Fevziu: A shoqërohesh me shqiptarë të tjerë.

Faiket Luari: Jemi disa. Është ai brezi që mbaruam shkollën. Disa ndenjën si puna ime.

Blendi Fevziu: E mendon ndonjëherë kthimin?

Faiket Luari: Varet nga zoti. Por e mendoj gjithmonë. Jam pastor i një kishe këtu.

Blendi Fevziu: Aaa je bërë pastor atje! Një gjë e vë me bast me siguri që kisha ku ti predikon jam i sigurtë se nuk mund të jetë si kishat e Beratit, kishat e dekoruara nga Onufri.

Faiket Luari: Unë s’kam qenë në kishat e Beratit kam qenë vetëm në ato të muzeut…

/tvklan.al