Nga Blendi Fevziu/ Stop ka goditur sërish. Emisioni investigativ në Tv Klan ka publikuar pak minuta më parë një bisedë mes Ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja dhe Çlirim Hajdarmatajt, Drejtor i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor në Tropojë. Thelbi i bisedës së tyre, pra thelbi i bisedës mes një vartësi dhe shefit të tij, nuk ka të bëjë as me ndonjë problem të administratës shëndetësore, as me çështje që lidhen me problemet e shtetit dhe as me punën që kryejnë të dy. Bëhet fjalë për një pakënaqësi të ministrit për angazhimin partiak të Hajdarmatajt; bëhet fjalë për faktin që ky i fundit nuk ka marrë pjesë në një mbledhje të asamblesë së PS dhe për këtë Ministri i kërkon llogari.
Ilir Beqja nuk i kërkon llogari si një partiak partiakut sepse në parti të dy kanë një status thuajse të barabartë. Beqja i kërkon llogari si shefi vartësit për një problem që nuk ka asnjë lidhje me detyrën për të cilën ata të dy paguhen. Çështja nuk mbaron këtu, edhe pse me kaq, do të ishte një përzjerje e panevojshme dhe e patolerushme e problemeve të shtetit dhe administratës me ato të PS. Sipas dëshmisë së Hajdarmatajt pas kësaj bisede ai është shkarkuar nga detyra që mbante dhe në Tiranë i kanë thënë që kjo nuk ka lidhje me rezultatin e tij në punë, por me një vendim të partisë.
Thënë ndryshe, që në fillim e deri në fund, përgjimi dhe rasti është një shkelje e rregullave të funksionimit të administratës publike; një përdorim politik i saj dhe mbi të gjitha, një njësim i shtetit me partinë. Edhe pse këto gjëra kanë ndodhur rëndom në Shqipëri, pas aprovimit me konsensus të një ligji në 2013 besohej që kjo gjë, në mos do të mbaronte së paku do të kufizohej në maksimum. Për fat të keq kjo nuk ka ndodhur. Veta Hajdarmataj ka ardhur në krye të asaj drejtorie, siç e dëshmon edhe vetë në telefonatë falë angazhimit partiak. Ai ka zënë po me shkelje ligji vendin e dikujt tjetër. 3 vjet më pas, ai është edhe vetë viktimë.
Për një vend pune, vetëm për një vend, ligji është shkelur 2 herë. Një herë kur u emërua Hajdarmataj si mbështetës i PS dhe një herë kur u shkarkua për mungesë në mbledhjen e Asamblesë. Apo edhe për ndonjë pakënaqësi tjetër partiake. Imagjino sa raste të ngjashme duhet të ketë në gjithë administratën shtetërore dhe imagjino se si duhet të jetë kthyer ajo sot në një bastion militantësh. Militantësh që për të mbajtur vendin e tyre të punës, nuk duhet t’i shërbejnë qytetarëve, nga taksat e të cilëve paguhen, por partisë që i emëron!
Rasti dëshmon jo vetëm atë që e besojnë dhe e denoncojnë të gjithë; pra si bëhesh pjesë e administratës dhe si bën karrierë në Shqipëri; por edhe diçka tjetër. Që ligji në këtë vend nuk ka asnjë vlerë dhe se ligjin në këtë vend e bëjnë dhe e shkelin vetë partitë.