Shefi i Instagram, Adam Mosseri ka deklaruar në Threads se po krijohet një aplikacion i ri. Njoftimi u bë të dielën, pikërisht ditën e mbylljes së TikTok, Lemon8, CapCut dhe apliakcioneve të tjera që janë në pronësi të ByteDance.

Mosseri tha se së shpejti vjen Edits, një aplikacion që duket shumë i ngjashëm me CapCut i cili është përdorur gjerësisht për modifikimin e videove.

Edits përfshin regjistrime me cilësi më të lartë, audiot trend, ndarjen e videove të papostuara, të dhëna për performancën e videove Reels dhe një hapësirë “frymëzimi”.

Për të gjithë ata që e krahasuan me simotrën e saj, Mosseri e quajti Edits “Capcut, por më shumë për ata që krijojnë video sesa njerëzit e zakonshëm”.

Edits nuk është ende i disponueshëm, por përdoruesit iOS mund ta rezervojnë në App Store, ndërsa për ata Android versioni “vjen së shpejti”.

Mosseri tha se do të dalë në shkurt, ndërsa në App Store shkruhet 13 mars. Gjithsesi, mos prisni që të jetë tërësisht funksional. “Versioni i parë do të jetë i papërfunduar kështu që kini durim, por jam shumë entuziast që ta sjell në duart tuaja”.

Edhe pse përdoruesit e Threads patën rezervat e tyre për kohën e këtij njoftimi, Mosseri tha se puna ka nisur prej muajsh dhe “do të dalë ndryshe nga CapCut”. Sipas tij, modifikimet do të kenë më shumë mjete për realizimin e tyre, nuk do të ndjekin modele të gatshme, do të funksionojë me Inteligjencë Artificiale dhe sigurisht, përdoruesit do të kuptojnë pse kanë vështirësi me performancën e videove.

Edits duket se do të ketë nja avantazh krahasuar me CapCut sepse në App Store thuhet se nuk do të kenë logo pas eksportimit./tvklan.al