Përdoruesit e vjetër të Instagram mund ta kujtojnë një hapësirë ku mund të shihnin postimet që ishin pëlqyer nga njerëzit që ndiqnin.

Kjo ndoshta mund të ishte paksa e çuditshme nëse vihej re që një përdorues pëlqente një lloj të caktuar postimesh dhe më pas opsioni u çaktivizua.

Tani po rikthehet, por këtë herë lidhet me Reels.

Adam Mosseri, shefi i Instagram ka njoftuar risinë që do të vijë në aplikacion. Ndoshta e keni vënë re se në pjesën e poshtme në të majtë të Reels ku shfaqen ikona me fotot e profilit të miqve tuaj dhe një zemër?

Sipas Mosseri, “kur shkoni në Reels, do të shihni një hapësirë të dedikuar të videove që miqtë tuaj kanë  pëlqyer ose kanë lënë një shënim dhe të nisni një bisedë me ta. Ne po e prezantojmë në disa vende në fillim, më shumë gjëra vijnë së shpejti”.

Synimi i kësaj, shpjegon ai, është që Instagram-i të bëhet më social por duket se përdoruesit s’e kanë pritur mirë e sidomos pas ndryshimit të përmasave të postimeve.

“Kjo do t’u japë fund shumë lidhjeve”, shkroi një komentues.

Mosseri u shpreh se këto ndryshime kanë si qëllim ta bëjnë Instagram një përvojë “të përbashkët” sesa “të tërhequr”, por shumica e komenteve e kanë të qartë: simboli i zemrës në krah të djathtë të videove Reels nuk duhet shtypur./tvklan.al