Policia ka vënë në pranga dy vajza të reja në Korçë, përkatësisht 19 dhe 17 vjeç. Sipas Policisë, është kryer një hetim intensiv lidhur me këtë rast, pas një denoncimi lidhur me hapjen e një profili në rrjetet sociale, ku publikoheshin shkrime denigruese, foto e video intime të vajzave të mitura. Këto të fundit, nxënëse të shkollave të ndryshme në këtë qytet.
“Nga hetimi intensiv, u identifikuan dhe ndaluan dy shtetase, për veprën penale “Pornografia me të mitur”, të cilat ishin të përfshira në këtë veprimtari kriminale: P. M, 19 vjeçe, banuese në Korçë, administratorja e profilit të krijuar në rrjetin social Instagram, ku publikoheshin materiale me përmbajtje bullizuese dhe denigruese. 17-vjeçare, banuese në Korçë, e cila është identifikuar si person përgjegjës për aplikacionin “Tellonym”, i lidhur me profilin e Instagramit”, njoftojnë blutë.
“Ky operacion ka qenë një hap i rëndësishëm në luftën kundër krimeve kibernetike dhe njëkohësisht një mesazh i fortë për të gjithë ata që përpiqen të shkelin ligjin dhe të dëmtojnë fëmijët dhe të rinjtë në mjedisin online. Strukturat kundër krimeve kibernetike në Policinë e Shtetit janë të angazhuara maksimalisht për të mbrojtur qytetarët dhe për të siguruar një mjedis të sigurt në internet. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprime të mëtejshme”, thuhet më tej në njoftimin zyrtar.
/tvklan.al