Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator të vitit kaluar. Në mesin e të akuzuarve është edhe Milan Radoiçiç si udhëheqës i grupit.
“Aktakuza përfshin 45 persona që kanë pasur role të ndryshme, duke filluar nga organizimi, drejtimi i aktiviteteve terroriste deri te financimi e shpëlarja e parave. Ndër ta akuzuarit me pozitë kyçe si udhëheqës i grupit është Milan Radoiçiç, i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale”.
Ata ngarkohen për vepra penale që ndërlidhen me terrorizmin, konkretisht veprat penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, financimi i terrorizmit dhe shpëlarjes së parave. Mungesa e bashkëpunimit ndërkufitar dhe vështirësitë në gjurmimin e fondeve për shpëlarje parash janë konsideruar si sfidë.
Sipas kryeprokurorit Blerim Isufaj prokuroria ka punuar intensivisht, por shkaku kryesor i vonesës së ngritjes së aktakuzës ishte pranimi i rezultateve të ekzaminimeve të kryera jashtë vendi.
“Prokuroria Speciale ka kryer punë intensive disamujore në këtë rast të madh dhe kompleks. Pas përfundimit të hetimeve, pas grumbullimit të provave dhe duke u mbështetur në to ka ngritur aktakuzë kundër 45 të pandehurve të përfshirë në këtë rast”.
Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup i armatosur serb e pati sulmuar Policinë e Kosovës në Banjskë, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Nga shkëmbimi i zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë, ndërkaq pjesa tjetër e grupit kishte ikur në drejtim të Serbisë. Përgjegjësinë për sulmin e pati marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç, i cili aktualisht ndodhet në Serbi.
Tv Klan