Nëse keni nisur të numëroni ditët për hyrjen e vjeshtës, ndoshta po mendoni për veshjet që mund të kombinoni për stinën. Ky është momenti i duhur për të folur rreth trendeve të printeve dhe për të menduar se çfarë do të bëni pjesë të garderobës apo të mos hezitoni ta vishni nëse e keni në dollap.
Këtë vjeshtë, ka 7 lloje printesh që kanë dëshmuar praninë e tyre në pasarela. Të gjitha synojnë që veshja mos të duket aspak e mërzitshme, por e guximshme. Nuk ka rëndësi nëse jeni minimalistë apo maksimalistë, këto trende do ju bëjnë të udhëtoni në kohë pa e kuptuar aspak.
Vijat



Ky trend nuk është larguar asnjë moment nga koleksionet e modës, kjo edhe falë internetit. Trendi i “sirenës së zyrës” e përforcoi stilimin e vijave në një trajtë paksa më të guximshme. Markat sugjeruan silueta të theksuara, dekolte apo funde të përthyera pa ndenjur asnjë moment brenda parashikimeve.
Printet e kafshëve


Printet e kafshëve kanë qëndruar gjithnjë në krye, por me kohën kanë përparuar. Më parë ishin disi të tepruara dhe shumë ‘të egra’ ndërsa tani janë ‘zbutur’. Në koleksionet e reja, spiktatën siluetat e prera bukur, ngjyrat e zbehta dhe copat me teksturë.
Ushqime



Disa printe janë sinonim i fillimit të vjeshtës, por printet me motive frutash e perimesh zakonisht lidhen me oleksionet e verës. Stilistët e thyen traditën në koleksionet e reja vjeshtë-dimër duke prezantuar printe me rrush apo perime të gjelbra për të na ‘gostitur’ syrin.
Katrorë me ngjyra


Katrorët janë gjithnjë të pranishëm në vjeshtë, por këtë vit ngjyrat janë më neutrale. Ajo çfarë i bën më të veçanta është kombinimi. Stilistët i besuan stilit bohemian dhe modës së viteve ’70 duke sjellë kombinime të pagabueshme.
Shkrimet


Si të mos mjaftojnë mesazhet, tani shkrimi është rikthyer te veshjet. Copat e mbuluara në shkrime ishin një metodë e zgjedhur nga stilistët për të thënë gjëra në mënyrë (disi) të paqartë për publikun. Kështu ky i fundit u nxit që të lexonte më shumë mes rreshtave dhe a nuk përshtatet kjo edhe me stinën?
Art abstrakt


Stilistët përqafuan këtë vjeshtë një qasje disi më artistike. Të frymëzuar nga historia e pasur e artit abstrakt, ata përfshinë printin në koleksionet e reja dhe veshjet dukeshin njësoj si vepra arti në një galeri. Arti i ricikluar nga e kaluara prodhoi një print që mishëron të tashmen.
Print i dyfishtë


Kombinimi i printeve ia ka lënë vendin bashkimit të tyre. Me metodat e reja, stilistët mbivendosën printe të ndryshme për të krijuar kontraste. Dyfishimi i printeve në pasarelë tregoi sërish se lëvizja e duhur për këtë vjeshtë është maksimalizmi: më shumë, më mirë./tvklan.al