Në fund të vitit të kaluar emisioni “Stop” në Tv Klan transmetoi një problem në Kavajë, pasi familja e Yllka Eminit ka në pronësi një vilë trekatëshe me dokumenta të rregullta e certifikatë pronësie. Por kunati i saj, Bejtullah Emini po i cënon pronën. Fillimisht ai ishte në 3 metra distancë prej Yllkës, por iu afrua në murin e saj duke ndërtuar pa leje katin e parë dhe tani ka përfunduar të dytin.
Kur u bë kati i parë, Yllka bëri ankesë por ndërtimi nuk u prish derisa u legalizua. Tani që ndërtimi është në katin e dytë, vendimi i prishjes ka dalë para dy vjetësh, por IMT e bashkisë Kavajë thotë se nuk ka mjete të prishë katin e dytë.
Gjatë bisedës me palën tjetër, Bejtullah Emini, kunati i denoncueses, pranon se ka bërë një shtesë në mur dhe gjysma e shtëpisë ka murin e saj, ndërsa tjetra rri mbështetur tek vila e Yllkës. Sekretari i përgjithshëm i bashkisë Kavajë, Arti Çiçolli këmbënguli se nuk ka mjete për të prishur katin e dytë të shtëpisë problematike.
Pas interesimit të emisionit “Stop”, IKMT-ja qendrore urdhëroi atë të Kavajës që të marrë masa duke hapur një procedurë të re prishjeje. IKMT-ja i tërheq vëmendjen IMT-së Kavajë që kjo e fundit të veprojë e të nisë një inspektim nga fillimi meqë kaloi afati 2-vjeçar dhe gjatë kësaj kohe nuk veproi.
“Stop” komunikon me bashkinë e Kavajës.
Anëtari i komisionit Geng Gjylsheni: Odeta përshëndetje, si je ti?
Gazetarja: Hë mo, çfarë bëtë juve, IMT-ja e Kavajës?
Anëtari i komisionit Genc Gjylsheni: Po e morëm si vendim ne! Nisëm ta zbardhim, do lihet në fuqi ai që ka qenë marrë, vendimi i parë që ka skaduar afati, patjetër që për t’u prishur. Edhe problemi është se bashkia e Kavajës nuk merr përsipër domethënë, pjesën e prishjes, për shkak të mos ekzistencës së mjeteve që duhen dhe specialistëve.
Gazetarja: Juve e keni përgatitur, e keni përpiluar shkresën për prishje të objektit?
Anëtari i komisionit Genc Gjylsheni: Po, po. Komisioni që u mblodh është vendosur, pra kemi bërë identifikimin e banesës, të gjitha, të gjitha…është përshkruar aty.
Gazetarja: Keni dalë me vendim prishjeje, këtë po të pyes, nuk po të pyes për kolltuqet.
Anëtari i komisionit Genc Gjylsheni: Odeta, vendim prishjeje, ne kemi lënë në fuqi pjesën, masat e marra më përpara që duhet të prishet, por Kavaja nuk ka mjetet e nevojshme për ta prishur dhe specialistët.
Gazetarja: Keni dalë me komision për prishje?
Sekretari i Përgjithshëm i bashkisë, Arti Çiçolli: Ej, ajo është taksative prishja! Ne thjesht këtu nuk po e prishim dot se nuk kemi mjetet e duhura.
Gazetarja: E kuptoj, por pasi fola me IKMT më nxorën një leje sikur personi tjetër kishte marrë një leje që në 2022…
Sekretari i Përgjithshëm i bashkisë, Arti Çiçolli: Po ajo leje është e shkelur. Ka një vendim prishjeje për atë lejen. Leja është për një tendë druri. Ai nga tendë druri e ka bërë beton. Dhe për këtë ai ka marrë vendim prishjeje-gjobë. Pra në qoftë se ka ndërmend (IKMT), kjo është e hapur që të bëjë çfarë t’i dojë kokrra e qejfit IKMT-së!/tvklan.al